Kacanik
Arratiset një person nga stacioni në Kaçanik, suspendohen dy policë
Një person është arratisur dje nga stacioni policor në Kaçanik, pak kohë pasi kishte dalë para gjykatës në këtë komunë për t’u përgjigjur për një vepër për të cilën akuzohet.
Policia në rajonin e Ferizajt ka konfirmuar arratisjen e të dyshuarit.
Majori Qazim Reka tha për KALLXO.com se i akuzuari, pas seancës gjyqësore ishte shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik dhe prej aty ka arritur të arratisej, pa mundur të ndalej nga policët.
“Ende nuk është kapur. Njësiti është në kërkim të tij”, tha majori Reka.
Ai shtoi se dy policë janë suspenduar për 48 orë pas kësaj ngjarjeje ndërsa është hapur rast hetimi ndaj tyre nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Ndërsa Gjykata Themelore në Ferizaj ka thënë për KALLXO.com se i arratisuri është paraqitur në gjykatë gjatë ditës së djeshme dhe pas përfundimit të seancës ai ka dalë i shoqëruar nga Policia.
“Ai ka ardhur në gjykatë i shoqëruar nga policia, e ka mbajtur gjykimin te gjyqtarja Zerjete Muhaxheri dhe i njëjti është dërguar në zyrën për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe më pas ka dalë nga gjykata i shoqëruar nga policia. Për ndodhitë e mëtejshme nuk kemi informacione”, tha për KALLXO.com, zëdhënësja e gjykatës në Ferizaj, Albënora Bekteshi.