Zyra Kombëtare e Auditimit: NPB-ja lëshoi me qira një lokal afarist me çmim të njëjtë si për depo

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) për të paktën një lokal afarist që është në pronësi të saj, e ka faturuar me çmim si të depos.

Sipas Auditorit, qiraja për një metër katror për lokal është 7 euro, ndërsa për depo është 3.5 euro.

NPB është ndërmarrje publike lokale në pronësi të Komunës së Prishtinës.

Në Raportin e Auditimit për këtë ndërmarrje, nga 1 shkurti 2023, NPB kishte kontratë me shfrytëzuesin e një lokali prej 279.97 metra katror me çmim prej 7 euro metri katror, që në total i bie 1 mijë e 959 euro qira në muaj.

Por më pas, sipas ZKA-së, shfrytëzuesi i lokalit gjatë vitit 2023 kishte bërë kërkesë në NPB për uljen e çmimit të qirasë, me arsyetimin se një pjesë e sipërfaqes nuk i plotëson kushtet për lokal. Me këtë rast, me 1 qershor, menaxhmenti kishte aprovuar kërkesën dhe ishte lidhur kontratë me çmim të depos prej 3.5 euro për metër katror.

“Prandaj, ndërmarrja nga qershori deri në fund të vitit 2023 kishte faturuar biznesin me çmimin e depos 979 euro në muaj. Si rrjedhojë e ndryshimeve të kontratës, ndërmarrja kishte faturuar biznesin në vlerë 6.859 euro përderisa shfrytëzimi faktik në teren në kohën e auditimit ishte lokal afarist” – thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak të mungesë së analizës së mjaftueshme brenda ndërmarrjes dhe mosverifikimit të gjendjes në teren.

“Ndryshimi i kontratës ka ndikuar që faturimi të jetë më i ulët dhe rrjedhimisht edhe të hyrat për ndërmarrjen të jenë më të pakta” – thuhet tutje në raportin e Auditorit.

Me këtë gjetje të ZKA-së, Ndërmarrja Publike Banesore është pajtuar.

Raportin e plotë të auditimit për NPB-në për vitin 2023 mund ta gjeni KËTU