Qeveria Hoti - Foto: ZKM

Zyra e Kryeministrit: Këshilltarët politikë nuk duhet të jenë pjesë e Bordit të ShSKUK-së

Zyra Ligjore e Kryeministrisë ka vlerësuar se përfaqësimi i Ministrisë së Shëndetësisë në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës përmes Këshilltarëve Politik është në kundërshtim me funksionin e tyre.

Përmes këtij opinioni, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, Zyra Ligjore e ZKM ka sqaruar se pozita e një këshilltari politik ka të bëjë vetëm me ofrimin e këshillave  për Ministrin dhe se një këshilltar politik nuk  mund të ketë kompetenca drejtuese dhe administrative.

“Duke qenë se kabineti nuk është pjesë e strukturës hierarkike të ministrisë, dhe pasi që këshilltarët politik ose këshilltarët e jashtëm politik nuk ushtrojnë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative, si dhe duke qenë se marrëdhënia e punës së zyrtarit të kabinetit është marrëdhënie besimi me titullarin e kabinetit të cilit i shërben zyrtari, funksioni I këshilltarit politik është imkopatibil me funksionin e përfaqësimit si përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë në Bordin drejtues të ShSKUK-së”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e zyrës ligjore të Kryeministrisë dërguar Bordit Drejtues të ShSKUK-së.

Ky opinion është dhënë pasi Bordi Drejtues i ShSKUK-së ka dërguar kërkesës në Zyrën e Kryeministrit rreth rastit të ish-anëtarit të bordit, Diellor Rizaj që njëkohësisht mbanë edhe pozitën e këshilltarit të ministrisë së Shëndetësisë. Rizaj është deleguar si përfaqësues i ministrisë së Shëndetësisë në bordin e ShSKUK-së.

Diellor Rizaj ishte liruar nga detyra si Këshilltar Politik i Ministrit Zemaj me datën 14 dhjetor 2020, pozitë në të cilën Rizaj ishte emëruar fillimisht me datën 13 gusht të po të njëjtit vit. Më pas Rizaj, përsëri ishte emëruar në pozitën e Këshilltarit Politik me datën 8 janar 2021.

KALLXO.com ka kontaktuar me këshilltarin e Zemajt, Diellor Rizaj dhe i njëjti për KALLXO.com ka thënë se do ta respektojë opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit dhe nuk do të marrë pjesë më në mbledhjen e bordit.

“Praktikat e deritanishme për pozicionin anëtar i Bordit Drejtues të ShSKUK-së si përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë çdo herë janë deleguar Këshilltarët Politik të Ministrave, po ashtu edhe në rastin tim. Unë kam shkuar aty të jap kontributin tim dhe do ta respektoj vendimin. Nuk do të marr pjesë më në mbledhjet e bordit”, ka deklaruar Rizaj.

KALLXO.com po ashtu ka kontaktuar edhe me kryesuesin e Bordit Drejtues, Xhevat Jakupi, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Një interpretim i tillë është dhënë nga Zyra Ligjore e Kryeministrit, edhe pse në fakt është vetë Qeveria e Kosovës që e emëron bordin e ShSKUK-së në kuadër të cilës ishte edhe këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Diellor Rizaj.

Delegimi i këshilltarëve në bordin e ShSKUK-së është bërë praktikë dhe deri më tani Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë interpretime nëse delegimi i këshilltarëve në bord është i kundërligjshëm. Ish- ministrat e shëndetësisë, Uran Ismajli dhe Arben Vitia kanë emëruar këshilltarët e tyre politik në Bordin Drejtues të ShSKUK-së.

Ismajli kishte emëruar Ardian Ferizin, ndërsa Vitia kishte emëruar Mirsad Shkretën. Kurse, në kohën e ministrit Imet Rrahmani, i deleguar nga ministria në bordin e ShSKUK-së ishte Shemsi Veseli, zëvendësministër i Shëndetësisë.