Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bordi i ShSKUK-së kërkon largimin e Degës së Farmacisë nga objekti

Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka kërkuar që Dega e Farmacisë e Fakultetit të Mjekësisë të largohet nga objekti i ShSKUK-së.

Për vite me radhë Dega e Farmacisë ka shfrytëzuar për mësim një pjesë të objektit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK), i cili është në kuadër të ShSKUK-së.

Bordi i ka drejtuar këtë kërkesë dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, por kjo e fundit nuk pajtohet me një gjë të tillë.

Ajo e konsideron se kjo mund të bëhet tek pasi të ndërtohet një objekt për Degën e Farmacisë.

Bordi i ShSKUK më 21 qershor ka kërkuar lirimin e hapësirës së Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës (QKSUK), duke shkruar se procesi i ndërtimit të objektit të Fakultetit të Farmacisë merr një kohë të gjatë për ndërtim.

“Duke pasur në konsideratë faktin se QKSUK ka numër të madh të stafit shëndetësor por edhe akademik, si pjesë e FM-së, të cilët kanë nevojë për hapësirë si dhe Planin e Punës për ShSKUK-në për vitin 2021 ku janë paraparë shërbime të reja stomatologjike, për të cilat punimet pritet të fillojnë së shpejti, jemi të detyruar të ju ripërsërisim kërkesën që të shikoni mundësitë për zhvendosjen sa më shpejtë nga objekti”, thuhet në kërkesën e tyre.

Pas kësaj, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka – Kërliu përmes një shkrese i është drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se largimi i degës së Farmacisë që ka 16 staf akademik dhe 226 studentë, është e papranueshme.

“Duke qenë se Fakultetit i Mjekësisë nuk ka objekt tjetër ku mund të vendos Degën e Farmacisë, këto shkresa të njëpasnjëshme janë presion ndaj Fakultetit të Mjekësisë, pa bërë zgjidhje për lokacionin, përkundër kërkesave disa vjeçare të Fakultetit të Mjekësisë drejtuar Bordit drejtues të SHSKUK-së”, thuhet në shkresën e saj të siguruar nga KALLXO.com.

“Nxjerrja jashtë e tërë Degës se Farmacisë që ka 16 persona staf akademik dhe 226 studentë, sidomos në kohë të pandemisë është e papranueshme dhe qëllimkeqe. Pra, gjithsej 242 persona duhet të dalin jashtë në rrugë sipas kësaj shkrese të kryesueses së Bordit Drejtues të SHSKUK-së”, thuhet më tej duke kërkuar nga MSH që të marrë veprime.

“Në fund fare, i nderuar ministër i Shëndetësisë, Dr. Vitia, ju lus që ta rishikoni këtë iniciativë të Bordit drejtues të SHSKUK, ngase dëmton një degë të tërë të Fakultetit të Mjekësisë, por të punohet së bashku që të gjendet një opsion i përshtatshëm për të dyja palët”, thuhet më tej në letërn e dekanës drejtuar ministrit Vitia.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesin e bordit të ShSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi, e cila tha se një kërkesë e tillë ka ardhur nga ana e U.D drejtorit të QKSUK-së, Shefqet Mrasrori.

“Në bazë të kërkesës së drejtorit të QKSUK-së kanë shumë staf dhe në plan të punës për 2021 është paraparë implementimi i shërbimeve të reja në stomatologji dhe ajo hapësirë i takon QKSUK-së dhe nuk jemi të obliguar të krijojmë hapësira për Fakultetin e Mjekësisë, sepse aty ka staf që nuk kanë hapësira për punë”, tha Gecaj-Gashi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrit, Arben Vitia, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.