Zv/presidentja e Parlamentit Evropian Eva Kaili është arrestuar nën dyshimet për përfshirje në korrupsion

Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili u arrestua të premten mes një hetimi të policisë për korrupsion të mundshëm në Parlamentin Evropian.

Eva Kaili, njëra nga 14 nënkryetarët në organin legjislativ evropian, u soll për t’u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje në lidhje me një hetim mbi dyshimet për korrupsion që përfshin “një vend të Gjirit”, raportuan AFP dhe gazeta belge Le Soir, duke e cituar zyrën e prokurorisë e cila është marrë me hetimin.

Burime të Parlamentit Evropian i thanë Euronews se zyra e Kailit ishte mbyllur nga policia e Belgjikës, së bashku me ato të dy eurodeputetëve socialistë belgë, Maria Arena dhe Marc Tarabella.

Arena mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se hetimi përfshinte asistentin e saj.

Katër arrestime ishin kryer tashmë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i Kailit.

Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se Kaili është “përjashtuar” nga anëtarësia e saj.

Socialistët dhe Demokratët (S&D) në Parlamentin Evropian e pezulluan anëtarësimin e Kailit “me efekt të menjëhershëm”, sipas një deklarate të bërë publike nga grupi.

Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se ka gjetur 600,000 euro para në dorë dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në aksionin e së premtes. Në bastisje u kontrolluan gjithsej 14 lokacione.

44 vjeçarja Kaili është një ish-prezantuese e televizionit grek dhe eurodeputete që nga viti 2014./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala