Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës

Zv.ministri Sallahu viziton Gjykatën Speciale, njihet me kushtet e paraburgimit ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, së bashku me administratoren, Fidelma Donlon, mirëpritën sot zëvendësministrin e Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu dhe delegacionin e Kosovës në ambientet e Gjykatës Speciale për një vizitë.

Në komunikatën për media të Gjykatë Speciale thuhet se ndër temat që u diskutuan ishin skema e ndihmës juridike e Gjykatës, vizitat familjare të të paraburgosurve dhe lehtësimi i vizave në këtë drejtim.

Gjithashtu u diskutua për kushtet e paraburgimit, të cilat duhet të jenë në përputhje me standardet dhe konventat ndërkombëtare.

Tutje në komunikatë potencohet se delegacioni gjithashtu vizitoi ambientet dhe sallën e gjyqit.

Kjo vizitë erdhi pas një takimi që kryetarja dhe administratorja e Gjykatës së Specializuar patën me ministren e Drejtësisë së Kosovës, në Prishtinë, më 9 shtator 2021.