Zotimet e Albin Kurtit për Kadri Veselin

Mandatari për kryeministër Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit ka premtuar se do ta respektojë opozitën.

Ai deputetin e PDK-së, Kadri Veselin e ka quajtur lider opozitar.

“Unë do të jem kryeministër që e respekton Parlamentin dhe opozitën. Të nderuar deputetë opozitar, i nderuari lider i opozitës, zotëri Kadri Veseli, ndaj opozitës do të sillem me respekt, pa arrogancë. Asnjëherë, asnjërin nuk do ta fyej apo ofendoj. Për bindjen time të fuqishme, opozita është kushti i nevojshëm për pushtetin, është kushti i domosdoshëm për demokracinë dhe është kushti i mjaftueshëm për kritikën”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, pa opozitë pushteti e humbet kuptimin, pa opozitë demokracia e humbet mundësinë dhe pa opozitë kritika e humbe aktualitetin.

“Vendimet e qeverisë çdo herë e përherë do t’i nënshtrohen mbikëqyrjes e llogaridhënies nga parlamenti. Qeveria do të jetë përgjegjëse e llogaridhënëse para parlamentit dhe unë do të jem kryeministër që respekton dhe qeverisë mbi bazën e vullnetit të qytetarëve”, shtoi Kurti.