
Ilustrim
ZKA filloi auditimin e performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar procesin e auditimit të performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë.
Ky proces, sipas njoftimit nga ZKA, është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025.
“Ky auditim synon të vlerësojë masat dhe veprimet e institucioneve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive pyjore, të cilat përfaqësojnë një nga burimet më të vlefshme natyrore të vendit” – thuhet në njoftimin e ZKA-së më 24.01.2025.
ZKA njofton se në fushëveprimin e këtij auditimi janë të përfshira dy ministri dhe dy agjenci: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila vepron në kuadër të kësaj Ministrie si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Sipas ZKA-së, pyjet luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e kushteve më të mira për mjedisin dhe shoqërinë.
Zyra Kombëtare e Auditimit konsideron se sfida si shpyllëzimi i paligjshëm, degradimi i tokës, mungesa e monitorimit dhe koordinimi i dobët institucional vazhdojnë të dëmtojnë këto burime të vlefshme natyrore.
“Auditimi do të fokusohet në vlerësimin e masave për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet ilegale dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i burimeve pyjore, efikasitetin e institucioneve në zbatimin e programeve të rikultivimit dhe ripërtëritjes së pyjeve, dhe përcaktimin e mënyrave për bashkëpunim efektiv midis institucioneve për menaxhimin e pyjeve shtetërore dhe atyre brenda parqeve kombëtare” – ka shtuar ZKA.
Tutje, ZKA e vlerëson ruajtjen dhe menaxhimin efektiv të pyjeve si thelbësor për mjedisin, shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Raportet e ndryshme tregojnë se veprimet ilegale dhe mungesa e planifikimit strategjik kanë shkaktuar dëmtime serioze në ekosistemet pyjore. Përmes këtij auditimi, ZKA synon të ndihmojë në identifikimin e masave që mund të ndërmerren për të përmirësuar menaxhimin e pyjeve, në mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm për brezat e ardhshëm” – njofton ZKA.
Në fund të njoftimit të saj, ZKA thekson se vazhdon të jetë e përkushtuar për të siguruar që pasuritë natyrore të Kosovës të menaxhohen në mënyrë transparente dhe efektive.