Foto: Zyra Kombëtare e Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe OSBE zhvilluan punëtori për përmirësimin e praktikave komunale të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), kanë zhvilluar punëtorinë e fundit për këtë vit më 02.12.2024 për përmirësimin e praktikave komunale të auditimit dhe rritjen e ndikimit të raporteve të auditimit për vitin 2023.

Temë diskutimi në punëtorinë e dytë të organizuar për këtë vit mes OSBE-së dhe ZKA-së kanë qenë “Praktikat komunale të auditimit dhe ndikimi i raporteve të auditimit për vitin 2023”.

“Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën në Prishtinë organizuan punëtorinë e dytë me temën “Praktikat komunale të auditimit dhe ndikimi i raporteve të auditimit për vitin 2023”- thuhet në njoftimine ZKA-së.

Pjesë e kësaj punëtorie kanë qenë Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu, drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Blerina Krasniqi, zyrtari i lartë i OSBE-së, Fatmir Zylfijaj, si dhe kryesues të kuvendeve komunale, drejtorë të financave, zyrtarë kryesorë financiarë dhe auditorë të brendshëm nga 19 komuna.

Pjesëmarrësit në këtë punëtori folën për sfidat kryesore në zbatimin e rekomandimeve të auditimit, hartimin e planeve të veprimit, si dhe përmirësimin e raportimit në kuvendet komunale.