Raportimi i ministrit Hajrulla Çeku në KMFP. Foto: KALLXO.com.
Ministri Çeku raporton në Kuvend, mohon akuzat për keqpërdorim të buxhetit në MKRS
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, më 17.09.2024, ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, lidhur me raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKAS) për pasqyrat financiare vjetore të MKRS-së për vitin 2023.
Deputetët e opozitës akuzuan se në MKRS ka pasur keqpërdorim të buxhetit, shkelje të ligjit për prokurimin e financave publike, avance të pambyllura, mosinvestim në projekte kapitale, kontrata njëburimore dhe favorizim të OJQ-ve që dikur ishte themelues vet ministri dhe ku ka punuar edhe vëllai i tij. Por, Çeku i ka mohuar këto akuza duke thënë se gjetjet e auditorit janë adresuar dhe të gjitha veprimet e marra gjatë vitit 2023 janë bërë sipas ligjeve në fuqi.
Gjatë raportimit të ministrit nuk kanë munguar përplasjet mes deputetëve të opozitës dhe pozitës.
Deputeti raportues për të gjeturat e ZKA për MKRS-në, për vitin 2023, Hajdar Beqa, tha se në të gjeturat e ZKA-së, në shumicën e pikave ka elemente të veprës penale.
“Raporti në shumicën e pikave ka elemente të kryerjes së veprave penale. Ky raport më shumë do të ishte për Prokurori. Në 19 raste të testuara në vlerë totale 2 milionë e 515 mijë përfituesit e subvencioneve nuk kanë dërguar raportet me kohë. Për më tepër në një rast pagesa është bërë në vlerën e plotë edhe pse marrëveshja ishte për t’u bërë në dy pjesë”, ka thënë Beqa.
Por, ministri Çeku është përgjigjur se në asnjë gjetje nuk ka bazë për vepër penale. Sipas tij, vonesat në mbylljen e avanseve kanë ndodhur për shkak të disa rrethanave, si: mungesa e kapaciteteve infrastrukturore të MKRS-së, numri i madh i projekteve të investimeve kapitale, numri i madh i thirrjeve të subvencioneve, realizimi i operatorëve, etj.
“Dua ta shfaq një mospajtim, se asnjë nga të gjeturat nuk të qon te vepra penale. Kemi ofruar të gjitha sqarimet e nevojshme. Me kapacitetet tona të brendshme jo gjithmonë mbërrijmë të përfundojmë punët. Te një numër i madh i kontratave edhe nëse ndodhin vonesa ne i paralajmërojmë. Sot po flasim për vonesa javore apo mujore … me këtë vëllim dhe numër të madh të përfituesve edhe në raportin e këtij viti gjasat janë që të ketë vonesa në mbylljen e këtyre projekteve”- tha Çeku.
Ai u kundërpërgjigj edhe akuzave nga deputetja Hykmete Bajrami, se ka financuar OJQ-në të cilën e kishte themeluar vet ministri dhe ku ka punuar edhe vëllai i tij. “Sa i përket shpërndarjes së financimit për OQJ për 2024, me dokumente mediat kanë thënë se ministri i ka dhënë rreth 257 mijë euro vëllait të tij në një organizate të caktuar, por edhe eksponentëve tjerë të LVV-së”- tha ajo, duke e pyetur ministrin se ka qenë themelues i OJQ-së “Ec ma ndryshe” dhe a ka punuar vëllai i tij aty.
Ai i mohoi akuzat duke thënë se që nga 2017-ta, e ka ndërprerë angazhimin e tij në shumë prej OJQ-ve ku ka qenë i angazhuar. “Kam punuar në shoqërinë civile dhe kam qenë pjesë e shumë organizatave në cilësi të ndryshme. Nga viti 2017 e kam ndërprerë aktivitetin e shoqërisë civile dhe nga ai vit nuk kam asnjë angazhim. Në disa organizata që kam qenë pjesë e tyre kanë qenë përfitues të ministrisë edhe para se me qenë unë ministër. Është shumë e ulët mënyra se si është bërë kjo goditje pa kurrfarë verifikimi. Vëllai im ka qenë i angazhuar, kontratë mbi vepër në 2018 dhe 2019 në ‘Ec ma ndryshe’”, tha ministri Çeku.
Çeku iu përgjigj edhe akuzave rreth renovimit të stadiumit “Fadil Vokrri”. Ai tha se përveç barit, është investuar edhe në drenazhimin dhe ngrohjen e fushës së stadiumit.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka listuar një varg shkeljesh në raportin e auditimit të pasqyrave financiare vjetore për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2023.
Miliona euro subvencione të paarsyetuara, parregullsi në lidhjen e kontratave me përfitues të subvencioneve, avance të pambyllura për udhëtime zyrtare e dobësi në procedura të prokurimit, janë vetëm disa nga gjetjet e ZKA-së të regjistruara në raportin për MKRS-në.
ZKA-ja, ka gjetur parregullsi edhe në regjistrimin dhe raportimin e pasurive në MKRS, probleme në vlerësimin e subvencioneve si dhe vonesa në realizimin e investimeve kapitale nga kjo ministri.