Dritarja e dhomës së djegur në Spitalin e Pejës, 29.05.2024

Zjarri në një dhomë në Spitalin e Pejës po hetohet si zjarrvënie

Policia e Kosovës po e trajton rastin e zjarrit që kaploi një dhomë në Spitalin e Pejës si zjarrvënie.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, tha se po presin raportin e ekspertit të zjarrit për të parë se cili ka qenë shkaku. Ai nuk dha detaje nëse ka të dyshuar.

KALLXO.com vizitoi sot Spitalin e Pejës por nuk u lejua që të marrë pamje brenda spitalit, te vendi i ngjarjes, me arsyetimin se Policia nuk lejon afrimin te vendi i ngjarjes. Zyrtarë të Spitalit thanë prapa kamerës se dyshimet e Policisë janë që zjarri nuk ka qenë i rastësishëm.

Ndërkaq, dyshimet e para sipas Spitalit të Pejës ishin se zjarri është shkaktuar nga një defekt në sistemin elektrik.

Zjarri i shkaktuar rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm (29.05.2024) nuk shkaktoi pasoja në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Për të vlerësuar vlerën e dëmit, menaxhmenti i Spitalit ka formuar një komision.

Zëdhënësi i Spitalit, Naim Sahiti, dha detaje lidhur me këtë ngjarje.

“Fatmirësisht (zjarri) është vërejtur herët nga pjesëtarët e sigurimit fizik. Është njoftuar me kohë, kanë ardhë zjarrfikësit dhe Policia dhe është arritë që të lokalizohet zjarri dhe të mos shkojë më shumë sesa në atë dhomë” – tha ai.

“Në katin e katërt ndodhen vetëm shërbimet administrative dhe teknike. Nuk ka qenë askush aty në atë orë. Nuk ka pasur asnjë shqetësim për pacientët apo për shërbimet shëndetësore” – tha Sahiti i pyetur se a ka pasur pacientë apo punonjës afër dhomës kur ka nisur zjarri.

Në dhomën që u dogj, siç tha zëdhënësi, ka pasur pajisje të teknologjisë informative, serverë. Megjithatë, sipas tij, të gjitha të dhënat janë të ruajtura nëpër sisteme të tjera informative.

Ai tha se nuk beson që mund të përsëritet një ngjarje e tillë kur u pyet se a e kanë vlerësuar mundësinë që një zjarr i tillë të ndodhë sërish.

“Nuk besoj që mund të përsëritet, por kjo tash mbetet pjesë e punës së shërbimeve teknike, të spitalit por edhe të ekspertëve të zjarrit” – tha Sahiti.

Sipas njoftimit që Spitali bëri herët në mëngjes, shërbimet për pacientë kanë vazhduar të jepen si gjithnjë, ndërsa shërbimet teknike po merren me pastrimin e riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet e tjera të katit të katërt të bllokut kirurgjik.

Policia jep detaje për zjarrin në Spitalin e Pejës