Zjarr në një spital në Rumani, vdesin 10 të infektuar me COVID-19

Së paku 10 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë kanë marrë lëndime serioze si shkak i një zjarri në një spital që po trajtonte pacientë me COVID-19, raporton BBC.

Zjarri shpërtheu në repartin e kujdesit intensiv të spitalit publik në qytetin veri lindor të Piatra Neamt.

Një mjek që u përpoq të shpëtonte pacientët thuhet se është në gjendje kritike nga të djegurat serioze.

Ministri i Shëndetësisë i Rumanisë, Nelu Tataru tha për mediat vendore se zjarri ” ka mundësi të jetë shkaktuar nga një lidhje e shkurtër”.

Tetë prej viktimave thuhet se vdiqën në dhomën ku shpërtheu zjarri në katin e dytë dhe dy të tjerë, në një dhomë pranë tij.

Të gjithë kanë qenë duke marrë trajtim për coronavirus, shumë prej tyre në ventilator.

Zjarri besohet se u përhap më shpejt pasi morri oksigjen nga pajisjet e përdoruara për pacientët e intubuar.