Jusuf Azemi. Foto: KALLXO.com

Zhgënjimi dhe kërkesat e sektorit privat ndaj Qeverisë

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka shprehur pakënaqësitë që kanë punëtorët e këtij sektori në Kosovë. Jusuf Azemi, kryesues i kësaj Sindikate ka thënë se disa herë janë anashkaluar nga Qeveria.

Ai ka kërkuar që punëtorët e sektorit privat që punojnë në institucione të ndryshme shtetërore të paguhen sipas Ligjit të pagave. Për ata që punojnë në mirëmbajtje nëpër ministri e Qeveri e të cilët paguhen 180 euro, ka kërkuar që të paguhen mesatarisht 400 euro.

“Kemi disa mijëra punëtorë që kryejnë shërbime për institucione shtetërore, shumica shërbime të mirëmbajtjes. Kërkesa jonë është që këta punëtorë të paguhen nga Ligji i pagave. Që paga të jetë e harmonizuar deri në 400 euro”- ka thënë ai.

Ai ka thënë që sipas Ligjit të pagave, koeficienti i tyre është prej 3.4 deri në 4.

Ai tutje ka thënë se punëtorët e sektorit privat në dy vitet e fundit janë goditur kohë pas kohe nga kriza të ndryshme dhe sipas tij, Qeveria nuk iu ka dalë në ndihmë punëtorëve të këtij sektori.

“U goditëm kur shteti kur ndau mjete për stafin shëndetësor ndërsa jo për punëtorët e sektorit privat që kryejnë shërbime për sektorin shëndetësor. U goditëm nga pako e inflacionit, duke e ditur që punëtorët e sektorit publik në çdo kusht janë më të favorizuar qeveri ndau mjete për ta dhe nuk ndau për ne që kemi tri herë më pak paga. Neve na qitën në cilësinë e lëmoshës duke thënë se nëse pronari ju jep ju, pastaj edhe ne”- ka thënë Azemi.

Kryetari i SPSPK, tha se i janë drejtuar Qeverisë më dhjetëra herë duke kërkuar takim për të diskutuar këto çështje, por sipas tij asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria.

Një tjetër shqetësim sipas Azemit është edhe numri i lartë i vdekjeve në vendin e punës të punëtorëve të këtij sektori.

“Vitin e kaluar i patëm 24 raste të vdekjeve dhe askush nuk ka marrë asnjë iniciativë të bëj diçka për këtë çështje. Kemi nis një vit të keq sepse deri tani kemi 3 punëtorë që kanë vdekur në vendin e punës” – ka thënë ai.

Më 1 shkurt, Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficionetit mbi të cilin do të llogaritet paga e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2024 sipas Qeverisë do të jetë 110 euro. Ndaj vlerës së koeficientit ka pasur pakënaqësi nga sektorë të ndryshë.

Ligji për paga në sektorin publik më 22 dhjetor 2022 është miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicë të votave. Më 5 janar 2023 është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe i njëjti pritet të hyjë në fuqi më 5 shkurt 2023.