Zgjerimi i BE-së: Merrni lajmet e mira, mos hamendësoni afate

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shprehu pikëpamjen e tij për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Forumin Strategjik të Bledit, më 28 gusht: “Unë besoj se, nga të dyja anët, duhet të jemi gati për t’u zgjeruar deri në vitin 2030”.

Ai u shpreh i bindur se “është koha për t’i hequr qafe paqartësitë. Është koha për t’i përballuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri. Për të qenë të besueshëm, unë besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë”.

Tani, kjo është sfiduese. Zgjerimi i BE-së ka ngecur prej se Kroacia i është bashkuar bllokut, një dekadë më parë.

Vetë Michel vuri në dukje disa nga sfidat: krijimin e një gjyqësori të pavarur, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, theksoi edhe të qenët gati ekonomikisht, duke vënë në dukje se, aktualisht, bruto prodhimi i brendshëm (GDP) i vendeve të ardhshme anëtare është rreth 50-70 për qind e ekonomisë më të vogël të BE-së. Dhe në krye të kësaj, diçka që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për BE-në, është përafrimi i politikës së jashtme me atë të bllokut.

“Ne duhet të sigurohemi që konfliktet e kaluara, të mos importohen në BE”, tha Michel në Forumin e Bledit, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësimin në bllokun evropian.

“Një mënyrë për këtë mund të jetë shtimi i një të ashtuquajture ‘klauzolë besimi’ në traktatet e anëtarësimit, për të siguruar se vendet që anëtarësohen, nuk do të mund t’i bllokojnë shtetet e ardhshme anëtare”, tha Michel.

Kjo është në rregull, por çfarë ndodh me shtetet anëtare që tashmë bllokojnë procesin?

Bëhet fjalë për Greqinë, Francën dhe Bullgarinë, të cilat, në faza të ndryshme, kanë bllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut për në BE, për shkak të çështjeve dypalëshe dhe/ose politikës së brendshme.

Michel u shpreh kundër heqjes dorë nga rregulli i unanimitetit i BE-së, duke vënë në dukje se “uniteti është thelbi i forcës së BE-së”.

Në vend të kësaj, ai përmendi disa koncepte që tashmë janë diskutuar në qarqet e Brukselit, të tilla si “abstenimi konstruktiv”. Kjo është përdorur kur BE-ja ka vendosur t’i financojë dërgesat e armëve në Ukrainë. Dhe, në thelb, nënkupton që një shtet anëtar mund të mos votojë për çështjen e caktuar – as nuk vë veto, as nuk çon dorën lart.

Megjithatë, kur analizohet një fjalim si ky, ia vlen të kujtohen disa gjëra. Rregulli i parë në Bruksel për çështjen e zgjerimit është si vijon: hamendja për zgjerimet e ardhshme është një lojë “budallai”. Është bërë më parë dhe gjithmonë ka dalë të jetë një lojë shumë optimiste.

Në një strategji të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e vitit 2018, është thënë se Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë gati për anëtarësim në BE në vitin 2025, ndërsa Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të duhet të avancojnë mirë në këtë rrugë deri në atë kohë.

Tani po fillon vjeshta e vitit 2023 dhe është e qartë se asnjëri prej këtyre vendeve nuk do të jetë anëtar brenda dy vjetësh.

Gjithashtu vlen të përmendet se ka gjasa që parashikime të tilla të dëgjohen më shumë në të ardhmen e afërt. Pse? Për dy arsye kryesore: së pari, për shkak se zgjerimi i BE-së po “fërshëllen” sërish. Edhe vendet anëtare perëndimore të BE-së që dikur kanë qenë më ngurruese ndaj zgjerimit, tani janë për.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë se si mund të funksionojë një BE më e madhe kur të takohen në Bruksel në tetor dhe në dhjetor. Ka gjasa që ata të marrin vendime që do të çojnë përpara procesin e pranimit, si p.sh. dhënien e dritës jeshile për Ukrainën dhe Moldavinë për të filluar bisedimet e pranimit, ndoshta që Gjeorgjia të bëhet vend kandidat dhe, potencialisht, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të fillojnë hapjen e kapitujve të ndryshëm të negociatave, pas një procesi të shqyrtimit që ka zgjatur gati 18 muaj.

Arsyeja e dytë është se mandati i disave në BE, përfshirë Michelin, po i afrohet fundit. Vitin e ardhshëm, në këtë kohë, ai nuk do të jetë më president i Këshillit Evropian. Ai mund të rishfaqet si kryeministër belg, por gjasat janë të mëdha që ai të mos jetë në asnjë kapacitet vendimmarrës për zgjerimin e BE-së në prag ose rreth vitit 2030. Me fjalë të tjera, ai mund të jetë shumë ambicioz tani dhe të thotë më shumë gjëra, por vendimi nuk i takon atij.

Nuk do të ishte për t’u habitur edhe nëse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të bëjë po ashtu deklarata pozitive për zgjerimin e BE-së në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian, që do të mbahet në Parlamentin Evropian më 13 shtator, pasi ai mund të jetë fjalimi i saj i fundit – nëse nuk riemërohet në verën e vitit 2024.

Por, me gjithë skepticizmin dhe dyshimin, vlen të theksohet një aspekt pozitiv: nëse Michel, i cili vazhdimisht është në kontakt me udhëheqësit e 27 vendeve anëtare, ndihej i sigurt për mbajtjen e një fjalimi aq pozitiv për zgjerimin e BE-së, atëherë zgjerimi mund të jetë vërtet në një pikë kthese.

Zgjedhje, rënie ekonomike dhe ngjarje të tjera të paparashikuara mund të shfaqen vazhdimisht, por, së paku, mund të priten disa hapa të vegjël në këtë drejtim, në muajt e ardhshëm. Thjesht, mos pyesni për afate kohore!/REL