Zgjedhjet serbe të 3 prillit, Kurti në bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) Chollet Derek.

Kështu ka njoftuar vetë Derek përmes një postimi në Twitter, i cili tha se me Kurtin ka folur për mbështetjen e tij ndaj Ukrainës.

Derek gjithashtu tha se është theksuar edhe rëndësia e sigurimit të votuesve serb me të drejtë vote në Kosovë, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhjet e Serbisë.

“E falënderova atë [Kurtin] për mbështetjen e tij të fortë për Ukrainën dhe theksova rëndësinë e sigurimit të votuesve me të drejtë vote në Kosovë që të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme nacionale serbe të 3 prillit”, ka shkruar Derek.

Republika e Kosovës nuk lejoi mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, në janar të këtij viti. Kuvendi miratoi rezolutë për këtë çështje.

Referendumi serb kishte të bënte me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.