Donald Trump - Foto: REL/AFP

Zgjedhjet presidenciale në Amerikë ndajnë Europën Qendrore

Donald Trump i ka kaluar katër vitet e fundit duke mbjellë përçarje në të gjithë globin. Njeriu që shpreson ta zëvendësojë atë si president i SHBA-së mund të sjellë pak a shumë të njëjtën gjë në Europën Qendrore.

Një botë e shkatërruar nga virusi nuk mund ta largojë vëmendjen ndërsa SHBA-ja po i drejtohet zgjedhjeve të saj ndoshta më të ashpra që ka pasur ndonjëherë. Çfarë do të nënkuptojë për populistët e rajonit Katërshja e Visegradit humbja e Trump dhe fitorja e Joe Biden më 3 nëntor?

Kundërshtari demokrat nuk ka fshehur qëndrimin e tij përsa i takon rajonit, i cili megjithëse mbizotërohet nga qeveritë populiste, është i ndarë në mes.

Nga njëra anë, pavarësisht disa shqetësimeve, Çekia dhe Sllovakia mbeten demokraci liberale dhe qeveritë e tyre do ta mirëprisnin një politikë më të parashikueshme në Uashington. Megjithatë, një presidencë e Biden do të ishte një lajm i keq për regjimet e Viktor Orbanit në Hungari dhe Jaroslaw Kaczynskit në Poloni.

“Administrata Trump i theksoi marrëdhëniet e mira me Orbanin dhe Kaczynskin sepse ata të dy janë populistë nacionalistë si ai”, tha Jiri Pehe, drejtor i Universitetit të Nju Jorkut në Pragë. “Biden do t’i vinte theks vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, që nuk është diçka e mirë për Hungarinë dhe Poloninë.”

Në fakt, Biden e ka sqaruar se sa lajm i keq do të ishte zgjedhja e tij për këta të dy. Në komentet e tij gjatë fushatës, ai i përshkroi qeveritë në Hungari dhe Poloni si “banditë totalitarë”. Ai gjithashtu ka përshkruar planet për të hequr mbështetjen për populistët joliberalë të botës si dhe për “rehabilitimin” e BE-së. Nuk është habi që Budapesti dhe Varshava po luten që më 3 nëntor të fiojë Donald Trump.

Mendime dhe lutje

“Ne… mbështesim fitoren e Donald Trump sepse e njohim mirë politikën e jashtme të qeverive demokratike amerikane të ndërtuara mbi imperializmin moral”, shkroi kryeministri Viktor Orban në të përditshme Magyar Nemzet në tetor. “Ne e kemi provuar më parë, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme. Nuk na pëlqente, nuk duam të dyta.”

Nëse presidenti amerikan në detyrë do të humbasë, regjimet joliberale të rajonit do të humbnin legjitimitetin që Trump u ka ofruar atyre gjatë katër viteve të fundit. Ata do të shkundeshin mirë në zonën e tyre të komoditetit, gjë e cila u ka dhënë atyre dritën jeshile për të zhvilluar luftëra kulturore dhe do të liheshin të përballeshin të vetëm me kundërshtimin e institucioneve perëndimore.

Biden e ka bërë të qartë se ai është në anën e Komisionit Evropian në konfrontimet e tij me partinë Fidesz të Orbanit dhe Ligj & Drejtësi të Polonisë përsa i takon sulmeve që këto parti kanë bërë në sistemin gjyqësor dhe në media. Ai ka dënuar gjithashtu sulmet e këtyre të dyve përsa i takon të drejtave të komunitetit LGBT dhe rezistencës për të marrë masa për ndryshimet klimatike.

“Një fitore e Biden do të nënkuptonte se liderë iliberalë nuk do të ishin në gjendje ta shihnin veten si pjesë e një trendi global, por përkundrazi do të përballeshin me reagime më të forta ndaj lëvizjeve të tyre anti-demokratike”, tha Andras Biro-Nagy, drejtor në Budapest i organizatës “Zgjidhje politikash”.

Në fakt, kandidati demokrat do të duhet të rivendosë plotësisht marrëdhëniet me BE-në, nëse do të respektojë premtimin e tij për të zmbrapsur përparimet e bëra në vitet e fundit nga Rusia dhe Kina. Pas unilateralizmit të dështuar të Trump, rikonfirmimi i lidershipit global të nevojshëm të SHBA-së për të arritur atë detyrë do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë me të gjitha llojet e organizatave shumëpalëshe. Rivendosja e marrëdhënieve të forta me BE-në do të ishte në krye të listës.

Ky rikthim në multilateralizëm do të forconte BE-në dhe platforma të tjera ndërkombëtare kaq të urryera nga populistët nacionalistë. Në këtë skenar, Orban dhe udhëheqësi de facto i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, do të detyroheshin të pranonin Brukselin si kanalin kryesor të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Nga transaksionar në transatlantik

Kthimi i entuziazmit të Uashingtonit për organet shumëpalëshe mund të mirëpritet në një nivel në Poloni, që është thellësisht e kujdesshme ndaj Rusisë dhe mbështetet te NATO-ja për siguri. Pasiguria që Trump ka hedhur mbi aleancën ka bërë që Varshava ta ndërmjetësojë mbrojtjen e saj kombëtare me marrëveshje dypalëshe dhe bazuar në tekat e presidentit amerikan.

Në kontrast me këtë, Biden do ta ridrejtonte politikën e jashtme të SHBA-së për ta rikthyer atë si gur themeli të aleancës. Në një opinion të publikuar së fundmi në Foreing Affairs, kandidati vuri në dukje rëndësinë e rrjeteve të NATO-s për SHBA-në, duke e quajtur atë “aleanca më efektive politiko-ushtarake në historinë moderne”.

“Rajoni i Europës Qendrore dhe Lindore ka vlerë strategjike për SHBA-në, veçanërisht kur kemi të bëjmë me krahun lindor të Europës”, thekson Daniela Piatkiewicz në organizatën Europeum me bazë në Pragë. “Biden kohët e fundit ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim në rajon duke përfshirë mbështetje për NATO-n, zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive të mbrojtjes së rajonit dhe që t’i jepet përparësi “Nismës së Tre Deteve”.

Varshava do të ishte gjithashtu e lumtur të shihte SHBA-në duke sqaruar kundërshtimin e saj ndaj Kremlinit, pasi ka katër vjet që duron fiksimin e çuditshëm të Trump për njerëzit e fuqishëm të botës.

Një presidencë e Biden “do të ekspozonte situatën aktuale skizofrenike të politikës së jashtme në të cilën Polonia kërkon siguri dhe prani ushtarake nga SHBA-ja në lidhje me Rusinë, por në të njëjtën kohë PiS duhet të përpiqet të shpërfillë mendimet pozitive të Trump për Vladimir Putinin”, tha Jacek Kucharczyk në Institutin e Çështjeve Publike të Varshavës.

Kandidati demokrat tashmë është përpjekur të largojë çdo konfuzion të tillë për Varshavën. “Joe Biden beson se zotimi i Nenit 5 të NATO-s – që një sulm ndaj çdo anëtari të NATO-s është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve të NATO-s – është një lidhje e palëkundur midis Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë”, ka premtuar ai në fushatën e tij. “Joe Biden do të afirmojë angazhimin e Amerikës ndaj NATO-s dhe do t’i japë fund pëlqimit që administrata Trump ka ndaj Vladimir Putinit.”

Një qartësi e tillë do të mirëpritej nga shumica e kolegëve rajonalë të Polonisë, por pozicionimi i Hungarisë në lidhje me Rusinë dhe Kinën dhe angazhimi i saj ndaj interesave të NATO-s janë më të hapura për interpretim. Budapesti mund të zbulojë se me Biden në krye, Uashingtoni do të ishte më i gatshëm të përballej me të përsa i takon vështirësive që po shkakton, duke përfshirë veton e saj për negociatat e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe mbështetjen e saj për Pekinin në Detin e Kinës Jugore.

Kujdes hendekun

Ndryshe nga kjo, fundi i Donald Trump do të ishte pozitiv për Çekinë dhe Sllovakinë, pajtohen shumica e analistëve.

Pavarësisht ruajtjes së marrëdhënieve të mira me dy fqinjët e tyre iliberale dhe mburrjes herë pas here të qeverive populiste, dyshja konsiderohet si tepër e përkushtuar ndaj standardeve demokratike liberale, sundimit të ligjit dhe një orientimi pro-perëndimor. Një fitore e Biden nuk do të kishte ankesa për ta.

Megjithëse shpesh trajtohen njësoj si Hungaria dhe Polonia në mbulimin ndërkombëtar, dyshja me siguri do ta mirëpriste kthimin e angazhimit jo-transaksionar të SHBA-së në rajon.

“Katër vitet e fundit nuk kanë qenë të mira për rajonin”, tha Branislav Kovacik, një profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Matej Bel të Banska Bystrica. “Ne kemi parë një rritje të aktivitetit nga Rusia dhe Kina që synojnë të rrisin ndikimin e tyre.”

Ashtu si kolegët e tyre në Çeki në vitet e fundit, shërbimet sllovake të sigurisë janë bërë gjithnjë e më të zëshme në lidhje me kërcënimin që vjen nga lindja, thekson akademiku.

Prandaj, hendeku midis shokëve të qëndrueshëm liberalë dhe jo liberalë të Katërshes së Visegradit kërcënon të zgjerohet, nëse zgjedhjet i fiton Biden, ndërsa Çekia dhe Sllovakia i afrohen më shumë Brukselit si kanali kryesor i marrëdhënieve transatlantike ndërsa Hungaria dhe Polonia përballen me një shtim konfrontimi.

“Një administratë Biden do të ushtrojë presion të vazhdueshëm ndaj politikave të ndryshme të rajonit mbi demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe mund të krijojë ndarje të mëtejshme politike”, sugjeroi Piatkiewicz. Kjo, nga ana tjetër, mund t’i shtyjë ata në anën liberale të gardhit, më pranë BE-së, shtoi ajo.

Në Pragë, kryeministri miliarder, Andrej Babis, të paktën do të shpresoj se do të marrin fund krahasimet midis tij dhe Donalt Trump, që thuhet se ai i urren kaq shumë. Përveç kësaj, ai po kërkon gjithashtu një rol si një urë lidhëse midis SHBA-së dhe BE-së nga njëra anë dhe ngatërrestarëve të rajonit nga ana tjetër. Igor Matoviç, kryeministri i Sllovakisë, gjithashtu mund ta pëlqejë këtë punë.

Një fitore e Biden duhet të ofrojë gjithashtu një bonus ekonomik për anëtarët më pak të lodhshëm të Katërshes së Visegradit, pas tarifave dhe kërcënimeve të Trump. “Luftërat tregtare kanë qenë shumë të këqija për Sllovakinë”, vuri në dukje Kovacik. “Ne kemi një ekonomi shumë të hapur, dhe kështu bashkëpunimi me SHBA-në dhe tregjet globale është jetik për ne.”

Në fakt, Çekia dhe Sllovakia mbështeten tek eksportet për më shumë se 80% të PBB-së së tyre, dhe makinat – një objektiv specifik për presidentin e 45-të të SHBA-së – janë larg temë e çmuar. Atëherë të dy do të lehtësoheshin jashtëzakonisht shumë duke ia lënë historisë zemërimin e katër viteve luftë tregtare./Reporter.al