Zgjedhjet në Turqi nuk do të jenë të lira apo të ndershme?

Më 14 maj, Turqia do t’i mbajë zgjedhjet e saj më të rëndësishme në dekada. Për 20 vitet e fundit, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e kanë udhëhequr vendin në një mënyrë autoritare, duke i hequr kontrollet dhe balancat dhe duke e shtypur opozitën dhe disidencën. Ata kanë marrë kontrollin e medias, kanë burgosur kundërshtarët politikë dhe e kanë shtypur shoqërinë civile. Garat e njëkohshme presidenciale dhe parlamentare do të përcaktojnë nëse kjo trajektore do të vazhdojë apo do të ndërpritet.

Megjithëse Erdogan e ka udhëhequr Turqinë drejt autokracisë, arena politike e këtij vendi mbetet konkurruese dhe pluraliste. Me më pak se dy javë deri në zgjedhje, dhe me këtë vend duke u përfshirë në një krizë ekonomike dhe si pasojë e tërmeteve masive të shkurtit, opozita kryeson në disa sondazhe. Zgjedhjet e Turqisë nuk do të jenë të lira apo të drejta, por gjithsesi mund ta shënojnë fundin e karrierës politike të Erdoganit.

Erdogani dhe partia e tij kanë ndërhyrë në zgjedhje disa herë në dekadën e fundit, por jo gjithmonë me sukses. Në vitin 2014, kur kandidati i AKP-së dukej se do ta humbiste garën për kryetar bashkie në kryeqytetin Ankara, raportimi i agjencisë zyrtare shtetërore për numërimin e votave u ndal papritur për disa orë, vetëm për të rifilluar me kandidatin e AKP-së si fitues. Padia e opozitës për zgjedhjet u refuzua nga Gjykata Kushtetuese. Në vitin 2017, në pasditen e një referendumi kushtetues që e transformoi Turqinë nga një sistem parlamentar në një sistem presidencial, gjyqtarët të cilët e mbikëqyrnin votimin njoftuan se fletëvotimet do të numëroheshin edhe nëse atyre u mungonte një vulë zyrtare e vlefshmërisë. Askush nuk e di se sa fletë votimi pa vulë u numëruan për shkak të këtij vendimi dhe referendumi kaloi me pak më shumë se 51 për qind të votave. Dhe në vitin 2019, kur AKP i humbi zgjedhjet vendimtare për kryebashkiak të Stambollit, gjyqtarët pranuan akuza absurde për parregullsi në qendrat e votimit për përmbysje të votës dhe për të mbajtur një rivotim – të cilin më pas opozita e fitoi me një diferencë më të madhe.

Këtë vit, AKP ka një gamë të gjerë taktikash që mund t’i përdorë për ta formësuar rezultatin e zgjedhjeve, duke përfshirë ndryshimet e fundit në ligjet zgjedhore, persekutimin e opozitës, kriminalizimin arbitrar të fjalës dhe një rritje të shpenzimeve publike për t’i tërhequr votuesit.

Në vitin 2022, AKP dhe partneri i saj i koalicionit parlamentar, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), miratuan ndryshime në ligjin zgjedhor të Turqisë mbi kundërshtimet e opozitës. Reformat më të rëndësishme ndikojnë në përzgjedhjen e gjyqtarëve të cilët vendosin për mosmarrëveshjet zgjedhore në Këshillin e Lartë Zgjedhor (YSK), i cili i mbikëqyr të gjitha zgjedhjet në Turqi. Sipas masave të reja, gjyqtarët e YSK do të zgjidhen me short dhe jo sipas moshës së vjetërsisë. Erdogan e ka spastruar gjyqësorin pas tentativës për grushtshtet të vitit 2016 dhe, sipas Reuters, 45 për qind e 21,000 gjyqtarëve të Turqisë kishin tri ose më pak vite përvojë që nga viti 2020. Një llotari i rrit shanset që gjyqtarët e emëruar nga AKP t’i trajtojnë çështjet zgjedhore. 

YSK deri më tani ka nxjerrë disa vendime në favor të AKP-së. Në një rast, YSK lejoi 15 ministra të qeverisë, të cilët konkurronin si kandidatë për deputetë të AKP-së, të vazhdojnë detyrat e tyre si ministra gjatë fushatës, duke u dhënë atyre qasje të vazhdueshme në privilegjet dhe burimet e ministrisë.

Duke u mbështetur në një sistem të mbushur me gjyqtarë besnikë, AKP i ka përdorur gjykatat për t’i ndaluar disa konkurrentë të kandidojnë për poste. Selahattin Demirtas, bashkëthemeluesi popullor i Partisë Demokratike Popullore (HDP) pro-kurde të krahut të majtë, është burgosur që nga viti 2016 me disa akuza, përfshirë edhe shpërndarjen e propagandës së terrorizmit, pavarësisht vendimeve të përsëritura të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut se ai duhet të jetë liruar. Shumë politikanë dhe kryebashkiakë të tjerë të HDP-së janë burgosur ose shkarkuar nga pozitat që kur bisedimet e paqes midis shtetit dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit u ndërprenë në vitin 2015.

Pasi kandiduan në raundin e fundit të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2018 nga burgu, Demirtas dhe HDP kanë refuzuar ta paraqesin një kandidat presidencial këtë vit dhe në vend të kësaj e kanë deklaruar mbështetjen e tyre për koalicionin e gjerë të opozitës të udhëhequr nga Partia Popullore Republikane e qendrës së majtë (CHP) të Turqisë. Vetë HDP mund të mbyllet tërësisht përmes një rasti që po shqyrtohet aktualisht nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë, pavarësisht kërkesës së partisë për ta shtyrë vendimin e mundshëm deri pas zgjedhjeve. Ky rast është ngritur nga një prokuror i shtetit, i cili pretendon se partia është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.

Për ta shmangur një ndalesë të mundshme, HDP ka zgjedhur të kandidojë me kandidatët e saj në listën e partisë Partia e Gjelbër (Yeşiller Partisi). Javën e kaluar, autoritetet turke arrestuan 126 persona, duke përfshirë shumë anëtarë të lartë të partisë HDP, si dhe gazetarë, avokatë dhe artistë kurdë. Midis të arrestuarve ka avokatë që ishin caktuar të dilnin vullnetarë si vëzhgues të zgjedhjeve dhe gazetarë të gatshëm për të raportuar mbi parregullsitë e pritshme.

Gjykatat turke u përdorën gjithashtu për të formësuar zgjedhjen e kandidatit të koalicionit kryesor të opozitës. Në dhjetor, një gjykatë vendosi që komentet përçmuese të anëtarit të CHP-së dhe kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu për gjyqtarët që përmbysën fitoren e tij të parë si kryetar bashkie në vitin 2019, përbënin një fyerje të paligjshme ndaj zyrtarëve publikë. Nëse shpallet fajtor, ai do të përballet me një dënim të mundshëm prej dy vjet e gjysmë burg dhe një ndalim për të marrë pjesë në politikë. Vendimi i gjykatës kontribuoi në thyerje midis dy partive më të mëdha të bllokut opozitar—CHP dhe Partia e Mirë (Iyi Parti)—të cilat përfundimisht emëruan udhëheqësin e CHP Kemal Kilicdaroglu si kandidatin e tyre presidencial. Me afrimin e zgjedhjeve, opozita është përballur jo vetëm me presion ligjor, por edhe me sulme të armatosura.

Pasojat arbitrare dhe të ashpra ligjore për fjalën janë bërë të zakonshme edhe në Turqinë e Erdoganit. Turqia ka reputacion të keq lidhur me burgosjen e gazetarëve dhe kufizimin e shprehjes së lirë të fjalës.

Tetorin e kaluar, koalicioni qeverisës AKP-MHP miratoi një ligj të formuluar në mënyrë të paqartë përmes të cilit e kriminalizon “dezinformimin” në internet dhe vendos kërkesa të ashpra ndaj kompanive të mediave sociale për ta ndaluar përhapjen e tij – ose për t’u bllokuar. Autoritetet turke i kanë ndjekur vazhdimisht përdoruesit e zakonshëm të mediave sociale me akuza për fyerje dhe terrorizëm, dhe ligji i ri me siguri do të përdoret për ta shtypur fjalimin e opozitës dhe format e tjera të mospajtimit. Në muajin prill, një aktivist politik në internet, i cili prodhoi dhe shpërndau afishe me fotografi përmes të cilave satirizoheshin posterat e fushatës së Erdoganit dhe tërhiqnin vëmendjen ndaj rritjes së çmimeve të konsumit, u arrestua pasi fotot u bënë virale. Ai u akuzua për fyerje të presidentit dhe shkelje të ligjit zgjedhor, por më pas u lirua nga paraburgimi.

Me mediat e shkruara dhe ato televizive të cilat janë nën kontrollin e rreptë të qeverisë, fushata e opozitës ka pasur vështirësi për të marrë mbulim televiziv në mediat kryesore. Mediat sociale – pavarësisht të gjitha të metave të saj – kanë qenë një rrugë shpëtimi. Perspektiva e më shumë ndjekjeve penale për fjalimin në internet sipas ligjit të ri të dezinformimit ka një efekt drithërues në gazetarinë e pavarur dhe aftësinë e opozitës për të arritur tek votuesit, veçanërisht për çështje të ndjeshme, të tilla si manipulimi i mundshëm i numërimit të votave. Bllokimi i Twitter nga qeveria në ditët menjëherë pas tërmeteve katastrofale të shkurtit, për të cilin qeveria pretendonte se po e bllokonte për ta ndaluar përhapjen e dezinformatave, tregoi se AKP nuk do të shmanget nga përdorimi i pushtetit shtetëror për t’i kontrolluar narrativat publike.

Para tërmeteve shkatërruese, dobësia më e madhe e Erdoganit ishte keqmenaxhimi i ekonomisë së Turqisë. Për shkak të ideologjisë ekonomike idiosinkratike të presidentit, qeveria dhe banka qendrore i kanë ulur në mënyrë agresive normat e interesit pavarësisht inflacionit të shfrenuar dhe, ndërkohë që lira turke ka humbur 91 për qind të vlerës së saj që nga viti 2013. Më shumë se gjysma e këtij zhvlerësimi ka ndodhur në dy vitet e fundit, dhe norma e inflacionit nga viti në vit ka tejkaluar ndonjëherë 100 për qind për çmimet e ushqimeve dhe energjisë.

Në prag të zgjedhjeve, Erdogan ka bërë një sërë rritjesh të shpenzimeve sociale të dizajnuara për ta mbledhur bazën e tij dhe për t’i penguar kritikat e opozitës ndaj politikës së tij ekonomike. Dhjetorin e kaluar ai bëri të ditur se qeveria do ta rrisë me 55 për qind pagën minimale në vitin e ri dhe premtoi se do ta eliminojë kushtin minimal të moshës për pension për rreth 2.3 milionë punëtorë nëse i plotësojnë disa kritere. (Ironikisht, partitë opozitare kanë shtyrë përpara prej kohësh reforma të tilla, mirëpo Erdogan i ka refuzuar ato.) Në janar, presidenti njoftoi gjithashtu se pagat e nëpunësve civilë do të rriten me 30 për qind. Ky gjenerozitet do t’i kushtojë shtetit dhe ekonomisë, mirëpo Erdogan është i fokusuar vetëm në datën e zgjedhjeve. Shumica e pasojave negative nga shpenzimet do të ndihen pas fillimit të mandatit të ri presidencial pesë-vjeçar.

Opozita turke përballet me një detyrë të frikshme në përpjekjen për ta tejkaluar AKP-në në kutitë e votimit. Pas dy dekadash në pushtet, Erdogan e ka konsoliduar kontrollin shtetëror në një mënyrë që është e paprecedentë në 75 vitet e politikës shumëpartiake të Turqisë. Gjatë gjithë mandatit të tij, presidenti e ka portretizuar veten si një udhëheqës i pamëshirshëm dhe oportunist, i cili nuk ka frikë të përdorë taktika represive dhe i gatshëm për të lidhur ose prishur aleanca nëse kjo i përshtatet interesave të tij afatshkurtra. Bastet e këtyre zgjedhjeve nuk mund të ishin më të larta për Erdoganin dhe ai e di këtë.

Një rrezik është se opozita do të fitojë në natën e zgjedhjeve – ndonëse ngushtë – dhe se Erdogan do të mbështetet në YSK dhe institucione të tjera për ta kompensuar diferencën në votime. Ky është skenari për të cilin shumë pretendojnë se ndodhi në Ankara në vitin 2014 dhe në referendumin kushtetues në vitin 2017 – dhe u tentua pa sukses në Stamboll në vitin 2019. Një rrezik tjetër është që opozita të fitojë, por që Erdogan të refuzojë të pranojë humbjen, duke krijuar një konfrontim të paprecedentë mes dy kampeve. Rreziqet do të shtohen nëse shkohen në një raund të dytë, nëse asnjëri prej kandidatëve nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave. (Megjithëse Erdogan dhe Kilicdaroglu janë kandidatët më të rëndësishëm, disa politikanë më pak të njohur gjithashtu po garojnë si kandidatë dhe mund ta prishin një fitore të raundit të parë.) Me vetëm dy javë ndërmjet raundeve, atmosfera në Turqi – tashmë e tensionuar përpara një votimi historik – mund të arrijë në një situatë eksitimi.

Kjo nënkupton se komuniteti ndërkombëtar duhet të vendosë burime të konsiderueshme për monitorimin dhe dokumentimin e shkeljeve zgjedhore në terren – duke filluar nga format e ndërhyrjeve që ndodhin shumë përpara ditës së zgjedhjeve deri tek ato që ndodhin në ose pas asaj dite. Vëzhguesit gjithashtu duhet të jenë të përgatitur t’i denoncojnë publikisht shkeljet sapo ato të ndodhin dhe t’i bëjnë të qarta Erdoganit dhe AKP-së pasojat e prekshme—përsa i përket ndryshimeve në marrëdhëniet me jashtë dhe sanksioneve ndaj zyrtarëve të përfshirë në shkeljet zgjedhore—për shkak të ndërhyrjes në rezultate ose duke i shtypur dhunshëmprotestat në rast të një rezultati të kontestuar.

Pas kryengritjes/rebelimit së 6 janarit të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara dhe zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të Brazilit vitin e kaluar, vëmendja globale është ripërtrirë mbi rëndësinë e respektimit të rezultateve zgjedhore dhe sigurimit të një tranzicioni paqësor të pushtetit. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta fokusojë vëmendjen e tij duke u siguruar që të dyja këto procese të ndodhin edhe në Turqi. Demokracia e Turqisë varet nga kjo./Foreign Policy

Nate Schenkkan është drejtor i lartë i kërkimit në Freedom House. Twitter: @nateschenkkan

Aykut Garipoglu është zyrtare programi për Programet e Evropës dhe Euroazisë në Freedom House. Twitter: @aykutgaripoglu

Përgatiti: Nuhi Shala