Zëvendësministri në detyrë që u gjobit për barnatore pa licencë, i hyn garës për deputet

Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Shëndetësisë, Agim Çaka i cili ishte dënuar me gjobë prej 7 mijë eurosh pasi barnatorja e tij kishte punuar pa licencë në vitin 2014, i ka hyrë garës për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Çaka i cili vjen nga radhët e Nismës Socialdemokrate, është kandidat për deputet në listën e përbashkët Nisma-AKR-PD, për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com, Çaka ka thënë se barnatorja e tij është e licencuar dhe se sipas tij kjo nuk do të ketë ndikim në kandidimin e tij si deputet.

“Po, po tash janë të kryera procedurat. Ajo ka qenë një diçka që e kam shpjeguar edhe para gazetarëve dhe krejt. Ajo ka qenë  në njëfarë mënyre si një lloj montimi, kam qenë kryetar shoqate, pastaj agjencioni i ka pasur disa telashe, licencimi është bërë përmes agjencionit e kështu. Nuk e besoj se kjo do të ndikojë diçka [në kandidimin për deputet]”, ka thënë  ai për KALLXO.com.

Agim Çaka ishte emëruar në postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Shëndetësisë më 27 korrik të vitit 2018, por zyrtarizimi i dorëheqjes së Muharrem Kuçit në vendin e të cilit u emërua Agim Çaka, u bë më 31 korrik.

KALLXO.com ka raportuar për gjobën që kishte marrë barnatorja e tij.

Uran Ismaili e ‘izolon’ Zëvendës Ministrin e gjobitur për barnatore pa licencë

www.kallxo,com