Koalicioni AKR-NISMA-PD sfidohet për kandidatin për deputet Agim Çakaj

Mbrëmjen e sotme në #DebatPernime po diskutohet për shëndetësi ku partitë politike po shpalosin planprogramet e tyre për sistemin e shëndetësisë dhe rregullimin e tij.

Moderatorja Jeta Xharra kërkoi nga Arlinda Sopi të dijë se si do të arrijnë të rregullojnë sistemin shëndetësor kur në listën e këtij koalicioni të cilit i përket Sopi kandidon një person i cili është i dënuar me gjobë prej 7 mijë eurove nën arsyetim se ka shitur barna pa licencë.

 

Uran Ismaili e ‘izolon’ Zëvendës Ministrin e gjobitur për barnatore pa licencë

 

“Qysh po doni me e ndreq barnat kur Agim Çaka që ka qenë zëvendësministër prej NISMA-s është gjobit me 7 mijë euro se ka shit barna pa licencë?”, ishte pyetja e Xharrës drejtuar Sopit.

“Normalisht të gjithë ata që kanë keqpërdor pozitën e tyre zyrtare dhe nuk kanë kryer detyrën në shërbim të qytetarit qeverisja jonë garanton se ata do të i dërgoj para ligjit”, u përgjigj Sopi.

“Çakaj është në listë”, shtoi tutje Xharra.

“Unë jam përfaqësuese e AKR-së në kuadër të koalicionit, është e vërtetë që është në listë dhe NISMA është që mban përgjegjësitë dhe besoj që organet e drejtësisë do të vendosin për të gjithë ata që e shkelin ligjin”, tha Sopi.

“Po po besoj se do ta paguaj atë gjobë, le të mbetet nën ndërgjegje të tij dhe partisë së tij që e kanë fut në listë”, vazhdoi Sopi nga koalicioni AKR-NISMA-PD.

“Edhe pastaj do të bëhet deputet dhe do t`i ndreq barnat?”, vazhdon pyetjen Xharra.

“Nuk po besoj sepse qytetarët kanë me i ndëshku në këto parë zgjedhjesh të gjithë ata që kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe shtetin në këtë rast”, u përgjigj Sopi.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.