Zemaj: Së shpejti do të fillojmë testet rapide për COVID-19

Testet antigjen apo rapide për COVID-19 së shpejti do të fillojnë të bëhen edhe nëpër komuna në gjithë vendin.

Këtë premtim e dha sot ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ai tha se kanë filluar testimet rapide në gjashtë qendra të Kosovës, Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan, Pejë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

“Me udhëzimin e ndryshimit administrative ne krijuam mundësi që edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, përmes kërkesave të tyre por edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, të mundësojë testime antigjene – rapide të shpejta. Është në procedurë sigurimi i rreth 100 mijë testeve të cilat do të jenë shumë shpejtë të shpërndara nëpër komunat e vendit”, tha Zemaj.

Në këtë konferencë ai foli edhe për vaksinat anti-COVID, ku ritheksoi se në muajin shkurt Kosova do të furnizohet me vaksina.

Kosova është duke luftuar pandeminë SARS-CoV-2 që nga muaji mars 2020, tash e dhjet muaj në vend janë regjistruar mbi 60 mijë të infektuar, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë kanë vdekur.