Volodymyr Zelenskyy Foto: President Official Websitee

Zelensky bën thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot përsëri bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me liderin rus, Vladimir Putin.

Duke folur në rusisht përmes një adresimi në Facebook, Zelensky i bëri thirrje Putinit që të ulen në tryezën e bisedimeve.

“Do të doja t’i drejtohesha edhe një herë Presidentit të Federatës Ruse. Tani po lufton në të gjithë Ukrainën. Le të ulemi në tryezën e negociatave për të ndaluar vdekjen e njerëzve”, tha sot Zelensky, raporton CNN.

Më herët, presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se Rusia është “e gatshme të zhvillojë negociata të nivelit të lartë me Ukrainën”.

Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.
Përgatiti: Arbisa Shefkiu