Peter Stano

Zëdhënësi i BE-së: Takimi i të hënës ishte për të diskutuar propozimin, jo për të nënshkruar

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se nuk pritej që të hënën në Bruksel të nënshkruhej diçka, pasi sipas tij, takimi ishte për të diskutuar për propozimin e BE-së.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, janë pajtuar mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Nuk ka qenë kurrë çështja rreth një nënshkrim. Ky takim të hënën ishte për të diskutuar për propozimin e BE-së për të cilin u pajtuan të dyja palët se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për këtë propozim që po bëhet marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Kishte kuptim se puna e mëtejmë do të vazhdohet kur bëhet fjalë për të diskutuar implementimin dhe për të siguruar se ka hapa konkretë në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“ – ka thënë Stano.

Stano kështu ka deklaruar pasi është pyetur lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë i cili paralajmëroi se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, shkaku i pikave që referojnë në njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Nuk do të hyjmë në komentime të secilës deklaratë, apo secilit interpretim në rajon rreth asaj se për çfarë janë pajtuar”- ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Propozimi i BE-së, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”, që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti pas takimit ka thënë se ai ka qenë i gatshëm ta nënshkruante Planin e Bashkimit Evropian, i njohur si Plani franko-gjerman, por Vuçiq nuk ka pranuar.

Ndërsa, të martën, presidenti Vuçiq ka thyer shpresat e Beogradit për nënshkrimin e planit të Bashkimit Evropian shkaku që përfshihet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht pretendimeve të hënën se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një plan të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, presidenti i Serbisë paralajmëroi të martën se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, shkaku i pikave që referojnë në njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Jemi gati të negociojmë planin e implementimit por unë nuk do ta nënshkruaj këtë,” tha Aleksandër Vuçiq në televizion.