VV e Shqipërisë, thirrje për ta ndihmuar VV-në e Kosovës

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka nisë një fushatë e cila synon përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë në zgjedhjet e parakohshme që pritet ë mbahen në fund të shtatorit apo në javën e parë të muajit tetor.

Kjo qendër ka hapur edhe një thirrje për bashkimin e vullnetareve që do ta ndihmojnë Vetëvendosjen me sloganin “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”.

“Me bindjen në jetësimin e këtij vullneti të përgjithshëm, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri hap fushatën “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”. Thirrja për përfshirje në këtë fushatë është për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Shqipërisë e në mërgim. Çdo qytetar mund të angazhohet duke kontribuar drejtpërdrejt në tre drejtime”, thuhet në një postim të Qebdrës së Lëvizjës Vetëvendosje në Shipëri.

“1. Aplikimi dhe angazhimi si vullnetar në aktivitete të ndryshme në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Secili person që synon të angazhohet si vullnetar është i lutur të kontakojë sa më parë Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri për të marrë e për të plotësuar Formularin e Aplikimit për Vullnetar; 2. Identifikimi i qytetarëve që jetojnë në Shqipëri dhe kanë të drejtën e votës në Kosovë, me synim asistencën e tyre për të marrë pjesë në votime në Kosovë; 3. Kontribute në formë donacionesh për realizimin e fushatës “Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”. Çdo donacion, sado i vogël, është i mirëpritur”, thuhet në postim.

Sipas qendrës së VV-së në Shqipëri, është mundësia që përmes zgjedhjeve në Kosovë, vjeshta të kthehet në një pranverë.

“Fitorja e Lëvizjes do të jetë shenjues i një hovi të ri kombëtar që përballet me sfidat e shekullit 21. Historia jonë, prej “Lidhjes së Prizrenit”, na ka dëshmuar se Kosova është vend ku shqiptarët e bashkuar dinë të nisin ndryshime rrënjësore drejt përparimit kombëtar. Të bashkuar, i kemi të gjitha mundësitë ta kthejmë këtë vjeshtë në një pranverë shqiptare”, thuhet në njoftimin e Qendrës së LVV-së në Shqipëri.