Vuçiq vazhdon takimet me zyrtarë të lartë amerikanë

Pas takimit që zhvilloi dje me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të vazhdojë edhe sot takimet e tij me zyrtarë të lartë të diplomacisë amerikane.

Gjatë vizitës në SHBA, Vuçiq sot pritet të takohet me Zëvendës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, dhe nënkryetarin e Këshillit Atlantik të SHBA-ve, Damon Ëilson, raporton RTS.

Pas takimit të djeshëm, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiq, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, ka shkruar pas takimit sekretari Pompeo në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq tha se gjatë takimit, sekretari Pompeo dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon, para së gjithash, Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai tha se ka kërkuar që “SHBA-ja të ndikojë edhe më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe”.

“Unë i kam kërkuar administratës amerikane që të përpiqet – edhe pse ka bërë deri më tani – të ndikojë më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr tarifat e vendosura ndaj nesh, një vit më parë, dhe në lidhje me këtë nuk ka dyshim se kemi mbështetjen e SHBA-së, sepse ata, si dhe ne, e konsiderojmë të rëndësishme të vazhdojmë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë tij në Instagram.