Presidenti serb pret në takim senatorët amerikanë Chris Murphy, Jean Sheikhin dhe Tom Tillis – Foto: Facebook/Aleksandar Vucic

Vuçiq: Përmirësimi i bashkëpunimit me SHBA-në, prioritet i Serbisë

Përmirësimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq, më 19 prill, në bisedimet me senatorët amerikanë në Beograd.

Vuçiq ka biseduar me senatorët e Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen, si dhe me anëtarin e Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura, Thom Tillis, ndër të tjera, për bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, është bërë e ditur nga Presidenca e Serbisë.

“Shkëmbimi tregtar do të arrijë në 1.2 miliard dollarë këtë vit, gjë që tregon përparim të rëndësishëm në marrëdhëniet tona ekonomike”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia shpreson të “intensifikojë më tej format e ndryshme të bashkëpunimit dhe të zbatojë projekte specifike me interes të ndërsjellë”.

Siç është thënë në komunikatë, Vuçiq falënderoi senatorët për “mbështetjen e vazhdueshme që Uashingtoni i ofron Serbisë, në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

“Ky është një nga qëllimet tona parësore të politikës së jashtme dhe angazhim strategjik i Serbisë”, theksoi Vuçiq.

Temat e takimit ishin, siç u tha, integrimi evropian i Serbisë, situata në rajon, energjia, por edhe kriza në Ukrainë.

Vuçiq tha se Serbia është e përkushtuar për respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve, siç dëshmohet nga votimi i Republikës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në organizmat tjerë ndërkombëtarë.

Duke folur për rajonin, ai theksoi se Serbia respekton integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe Republikën Sërpska brenda Bosnjë e Hercegovinës.

Ai theksoi se për Serbinë është me interes kyç ruajtja e stabilitetit në rajon dhe forcimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë, “sepse vetëm një rajon i tillë mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të vetë Serbisë”.

Ai përmendi, si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, nismën “Ballkani i Hapur”, qëllimi i së cilës, siç thuhet në deklaratë, është zhvillimi i mëtejshëm i rajonit dhe ngritja e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e tij.

Senatorët amerikanë e uruan presidentin Vuçiq për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit presidenciale. Ata potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve çon në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik.

Më herët gjatë ditës së martë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka pritur senatorët në aeroportin “Nikolla Teslla”.

“Serbia ka një rol jetik për përparimin dhe prosperitetin e rajonit. SHBA-ja është e gatshme të mbështesë lidhje më të forta midis Serbisë dhe fqinjëve të saj anëtarë të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Hill në llogarinë e tij në Twitter./REL