Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Vuçiq: Paratë tona në Kosovë i dërgojmë përmes një kompanie britanike

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë debatit për çështjen e dinarit serb në Këshillin e Sigurimit të OKB-së tha se paratë e tyre i dërgojnë në Kosovë përmes një kompanie britanike.

Ai tha se në debat u diskutua se serbët po dërgojnë thasë në kufi me Kosovën, por sipas tij diçka e tillë nuk bëhet nga serbët.

“E dini se kush e bën këtë, kush i sjell këta thasë? Nuk janë serbët, por britanikët. Ne i kemi angazhuar britanikët, firma e tyre, ata bartin paratë tona me ata thasë” – tha Vuçiq.

Tutje presidenti serb tha se nuk është e vërtetë se ka pezullimin të zbatimit (të Rregullores së BQK-së), duke shtuar se është ndaluar vetura e vozitur nga kompania britanike që po sillte në Kosovë paratë për pensione, paga edhe asistencë sociale.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) është thirrur me kërkesë të Serbisë pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.

Nga 1 shkurti në Kosovë ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme. Rregullorja parasheh që valuta e vetme për pagesa të jetë euroja, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zbatimi i Rregullores po bëhet përmes një periudhe tranzicioni, duke insistuar se vendimi i BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Vendimi për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.