Boban Bogdanoviq - Foto: KALLXO.com
Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Boban Bogdanoviq jep deklaratë në Prokurorinë Speciale të Kosovës
Boban Bogdanoviq sot është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.
Bogdanoviq ka dhënë deklaratë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Pas dhënies së deklaratës, Bogdanoviq ka folur për KALLXO.com.
Ai tha se shpreson që faktet që i ka dhënë në PSRK do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Bogdanoviq tha se i është dhënë mbrojtje adekuate nga EULEX gjatë qëndrimit në Kosovë.
Bogdanoviq tha se “grupi kriminal i Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radojiçiqit” e kanë shantazhuar dhe kanë vënë çmim për kokën e tij.
“Po, më është dhënë mbrojtja adekuate në mënyrë që gjatë qëndrimit tim në Kosovë të jem nën mbrojtjen e EULEX-it, për arsye të thjeshtë sepse për shkak të kësaj klani kriminal i Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radojiçiqit më kanë shantazhuar dhe kanë vënë çmim për kokën time” – tha Boban Bogdanoviq.
I njëjti kishte kërkuar nga Prokuroria që të gjejnë mënyra për të dëgjuar edhe Velko Belivukun pasi edhe ai ka dëshmi lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“I kam propozuar Prokurorisë që të gjejnë mënyrë për ta dëgjuar edhe Velko Belivukun, i cili ka dëshmi lidhur me vrasjen e Oliverit”, tha Bogdanoviq.
Bogdanoviq shtoi që dëshmia e Belivukut do të vërtetonte një pjesë të mirë të dëshmisë së tij.
Boban Bogdanoviq tha se zbardhja e vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të ndihmonte në bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve.
Kujtomë që Oliver Ivanoviq, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur tri aktakuza për vrasjen, ndërkaq në janar u mbajt seanca ku dëshmuan dy dëshmitarë.
Aktakuzë është ngritur kundër Nedelko Spasojeviq (oficer policie), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviq (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviq (oficer policie), Zharko Jovanoviq (oficer policie) dhe Rade Basara (oficer policie).
Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radojiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Veselinoviq (biznesmen). Ndaj këtyre personave nuk është ngritur aktakuzë pasi ata ishin në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.
Në aktakuzë përmenden Radojiçiq dhe Veselinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.
Më 2019, Kosova lëshoi një urdhër-arrest për Radojiçiqin nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.
Mirëpo, ky fletarrestim u tërhoq në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.
Në lidhje me vrasjen e Ovliver Ivanoviq KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.