Vota e diasporës ‘kundër krimit’ në Kosovë

Dyfish më i madh është numri i votuesve sivjet nga diaspora për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

40 mijë aplikacione janë paraqitur në KQZ me kërkesë për të votuar por rreth 5,000 të tilla janë refuzuar ngase nuk i kanë pasur dokumentet e kërkuara.

Votimi me postë ka filluar nga 19 shtatori.

32 vjeçari Ylber Raka nga Kaçaniku, që aktualisht punon në Zvicër ka votuar për herë të parë nga diaspora për zgjedhjet që në Kosovë do të mbahen më 6 tetor.

Ylber Raka

Raka u largua nga Kosova në moshën 25 vjeçare në vitin 2012 në kërkim të një vendi të sigurt dhe më të paguar të punës.

I vendosur në Lozanë, ai tani punon në instalime të klimave.

Arsyeja kryesore për të cilën ai voton nga jashtë vendit thotë së është ndryshimi i jetës së qytetarëve. Raka dëshiron që me anë të votës të kontribuojë në Kosovë.

Ai shpreson që pas këtyre zgjedhjeve sistemi gjyqësor, shëndetësia dhe ekonomia të përmirësohen.

“Nëse ngriten pagat e punëtorëve, nuk do hezitoja të kthehesha në vendin tim”, shprehet Ylber Raka.

Raka gjithashtu tregon se kanë hasur në probleme gjatë votimit me postë dhe për këtë do t’i drejtohet KQZ-së.

Për dallim nga Ylber Raka, mërgimtari tjetër Ragip Prapashtica voton çdoherë për zgjedhjet në Kosovë.

“Interesi im është që të ketë ndryshime dhe të largohet njëherë e përgjithmonë krimi, korrupsioni dhe kapja e shtetit nga banditët”, thotë Prapashtica për KALLXO.com.

Ragip Prapashtica 58 vjecar nga Prishtina ka emigruar në Gjermani në vitin 1993.

Ragip Prapashtica

Ai ka kryer Shkollën e Lartë, dega e Kriminalistikës në Zagreb. Prapashtica momentalisht nuk është duke punuar për shkaqe shëndetësore.

Ndërkaq Avni Lahu nga Vushtrria ka emigruar në Monchengadbach të Gjermanisë në vitin 1993.

Ai thotë se gjithmonë ka votuar për zgjedhjet në Kosovë.

Lahu për vite me radhë punon si shofer autobusi.

Avni Lahu

Ai së bashku me familjen e tij presin që nga këto zgjedhje të këtë punësim më të madh për të rinjtë, të largohet korrupsioni dhe ata që vijnë në pushtet të dinë të udhëheqin vendin.

Duke e pare gjendjen në Kosovë, Lahu tha se mori vendimin për të votuar dhe për të qenë pjesë e elektoratit.

Përkundër Lahut, Rakës e Prapashticës, Jehona Kicaj pret nga zgjedhjet njerëz të rinj të cilët, sipas saj, do të sjellin dinamikë në qeverinë e re.

Jehona Kicaj 27 vjecare me banim në Hanover të Gjermanisë,  profesoreshë ne Fakultetin “Leibniz Universität”, voton për herë të parë për zgjedhjet në Kosovë.

Jehona Kicaj

“Votoj nga jashtë sepse është vendlindja ime edhe e prindërve të mi, nuk mund të jem indiferente kur rregullisht i dëgjoj ankesat dhe problemet prej të afërmve të mi. Shpeshherë mendoj, se është vetëm fat që unë jetoj në Gjermani, mos me u pas prishë situata në vitet e ‘90, unë do të isha rritë në Kosovë. Po të kisha jetuar në këtë vend kisha pasë dëshirë dhe nevojë për ndryshme”, thotë Kicaj.

27 vjecarja shtoi se arsimi dhe shëndetësia janë fushat ku duhen përmirësimet më të mëdha në Kosovë.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka sot ka reaguar pas videos së publikuar e cila shfaqi dyshime për manipulimin të votave nga diaspora.

Po ashtu gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka raportuar për publikimin e disa votave nga diaspora.