Arkiv Nga konferenca "Diaspora Flet". Foto: Kallxo.com

Shqyrtohen mënyrat e angazhimit të Diasporës në ndërmarrësi të Kosovës

Në ditën e dytë të aktiviteteve në kuadër të konferencës “Diaspora Flet”, eksperti irlandez i çështjeve të Diasporës, Martin Russelll, tregoi se cilat do të ishin praktikat më të mira që Kosova të nxjerrë përfitime nga numri i madh i qytetarëve që ka në Diasporë.

“Ajo çka duhet ta krijoni në Kosovë është kultura e ndërmarrësisë. Jo domosdoshmërisht ndërmarrësi. Kjo mund të bëhet me 4 5 veta që kanë kapacitet. Duhet të gjeni njerëz që japin para për arsimin, duhet t’i tërhiqni ata që të vijnë këtu”, tha Russell.

Ai u foli të pranishmëve në konferencën e sotme për ndryshimet në botë nga sektori publik në atë privat.

“Kjo ndërmarrësi shoqërore është një prej tregjeve që rritet në mënyrën më fascinuese në botë. Mënyra me të cilën njerëzit punojnë dhe duan të punojnë ëhstë duke ndryshuar para syve tanë. Ditët kur njerëzit kanë shkuar në zyrë nga ora 5 deri në 15, pesë ditë në javë, është duke ndryshuar. Përgjigja e kësaj është teknologjia”, tha Russell.

Vergula Sqevi e cila është bashkëthemeluese e organizatës PRIZM dhe Diaspora School Kosovo, ka lënë jetën në mërgim në Greqi për t’u kthyer në Shqipëri.

“Të rinjtë e Shqipërisë kanë shumë energji për të harxhuar dhe nuk mendoj që këtë energji duhet ta harxhojmë në emigrim. Vendim e mora të kthehesha në Shqipëri edhe pse familjen e kam në Athinë. Standardet e jetës janë shumë më të mira në Greqi se në Tiranë por nuk kthehem më për asgjë”, tha Vergula Sqevi.

Faik Ispahiu, drejtor ekzekutiv i organizatës Interneës Kosova, i ka shpjeguar audiencës për produktet  e deritanishme të organizatës dhe planet për të ardhmen në çështje të diasporës.

“Është jo fer që të ulemi dhe të flasim se çka mundet Diaspora me i ndihmu Kosovës. Ëhstë shumë vetjake dhe mendoj që është gabim. Nuk ka marrëdhënie njëdrejtimëshe. Unë më shumë e shoh që çka mundemi ne me i ndihmu Diasporës se çka mundet Diaspora neve me na ndihmu”, tha Ispahiu.

“Në Kosovë është zvogëluar masa e trurit të pandikuar politikisht dhe kjo është e tmerrshme. Është shumë zor në Kosovë në Kosovë ta gjesh një inxhinier që nuk është ose i kësaj ose i asaj partie”, shtoi Ispahiu.

“Këtu e shoh interesin, që të gjej ekspert jashtë ndikimit politik. Dikush që vjen jashtë kornizës dhe i cili qoftë pro-bono, qoftë me pagesë- unë kam dëshirë me pagesë- që ta kem një sugjerim të pavarur, jashtë trurit politik”, tha ai.

Duke folur për projektet e ardhshme të KALLXo.com, Ispahiu ftoi Diasporën për bashkëpunim.

“Po e shoh të nevojshme me pas Kallxo Diaspora ku ju mundeni me nxjerrë tema sipas kualitetit që ne i bëjmë”, tha Ispahiu.

“Po du me ua orfu mundësinë që ju me lexu diçka kredibile edhe nuk ia fusim kot. Të dyja palët mund të përfitojmë nga kjo”, shtoi ai.

Jeta Xharra, drejtoreshë ekzekutive e zyrës së BIRN në Kosovë, tha se organizata e saj ka nevojë për një produkt të llojit “Jeta në Diasporë”.

“Është një anë të cilën nuk po mundemi ta arrijmë me emisionet ‘Jeta në Kosovë’ dhe ‘Drejtësia në Kosovë’.

“Kemi nevojë për njerëz që folin shqip e që e bojnë punën mirë në aspekt profesional”, tha Xharra duke folur për rëndësinë e angazhimit të profesionistëve të Diasporës.

“Një seri paragjykimesh që i kemi për ju e një nga to është që jeni njërëz pa probleme. Ju duhet me na tregu që keni probleme”, tha Xharra.

“Ideja që jeni punëtorë krahu ekziston hala, që nuk jeni në rrjedha në Kosovë dhe ideja që jeni njerëz nën lula”, tha Xharra.