Daka: Votat e diasporës mund të manipulohen shumë lehtë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka reaguar pas publikimit të videos nga diaspora ku shihet abuzimi me fletëvotimet.

Daka ka thënë se është i diskutueshëm autenticiteti i atyre votave dhe se KQZ-ja nuk mund ta vërtetojë këtë.

“Po e kam pa këtë video sot në mëngjes, është shqetësuese, mirëpo gjithsesi çështja e parë është se sa është video autentike dhe sa është e vërtetë dhe ne si KQZ nuk mundemi me vërtetu”, ka thënë Daka.

Poashtu, ajo ka shtuar se kjo gjë ka ndodhur edhe në vitin 2013 me votat nga Serbia, sepse këto vota sipas saj janë lehtë të manipulueshme dhe nuk kanë mekanizma mbrojtës.

“Kjo ka ndodh edhe me votat nga Serbia në vitin 2013, me mijëra vota, të cilat kanë qenë të fabrikuara. Ne i kemi anuluar, por megjithatë ekziston rreziku sepse integriteti i këtyre votave është shumë diskutabil dhe lehtë i cenueshëm sepse është votë e pambrojtur”, ka shtuar Daka.

Kjo video ka qarkulluar në media të ndryshme gjatë ditës së sotme dhe më pas është fshirë.

Në video shihej një person, i cili ka deklaruar se kishin mbushur 20 fletëvotime dhe se ju kanë mbetur edhe 30 të tjera.

“Jemi duke i plotësuar të gjitha postat e votave, me Argjendën dhe Florentën, të cilat po më ndihmojnë. Deri më tash 20 dhe diku 30 copa të tjera”, thuhej në video.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur votimin nga diaspora me datën 19 shtator dhe pritet që fletëvotimet të arrijnë ne KQZ një ditë para zgjedhjeve, më 5 tetor.