Vlorë, arrestohet pasi gjatë ikjes sulmoi policin

Policia rrugore e Shqipërisë ka arrestuar mëngjesin e sotëm shtetasin me iniciale R. M., 36 vjeç, banues në Hysoverdhë të Vlorës, nën akuzën se tentoi të largohej me mjetin që e drejtonte pa leje drejtimi dhe e ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor.

“Në aksin rrugor Vlorë-Gjorm, shërbimet e Policisë Rrugore, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip ‘Benz’, drejtuesi i të cilit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe është larguar. Pas disa minuta ndjekjeje, punonjësit e Policisë Rrugore e kanë ndaluar dhe në momentin që po i komunikonin shkeljen ky shtetas ka dalë nga makina dhe ka dhunuar fizikisht punonjësin e Policisë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë shqiptare, pas ndërhyrjes së menjëhershme të kolegut është prangosur i dyshauari dhe është shoqëruar në Komisariatin e Policisë në Vlorë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”./21Media