Vizat dhe kriza energjetike, temë në takimin e Kurtit me presidenten e KE, Von der Leyen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen më të cilen ka diskutuar për liberalizmin e vizave, rrugën e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian dhe krizën energjetike.

Për liberalizimin e vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, sa i përket rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Kurti ka thënë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para përfundimit të këtij viti.

Në këtë takim, po ashtu u diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian.

“Bashkimi Evropian ka qenë partner i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës. Në këtë takim të sotëm, u konfirmua ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike”-thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Sipas njoftimit, në këtë takim, kryeministri Kurti ka veçuar të gjeturat e raporteve ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Kosovës në shumë fusha.

“Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (ËJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë”-thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se pas takimit, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kanë vizituar së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës.

Falë financimit të Bashkimit Evropian, objekti tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore ndërkaq Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën Botërore ka investuar në efiçiencën e energjisë së këtij objekti, ka njoftuar PK.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka thënë se do të japin grant në vlerë prej 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Këtë e ka bërë të ditur Von der Leyen në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Von der Leyen ka qëndruar sot në Kosovë, përveç takimit me kryeministrin Albin Kurti ajo është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.