Foto: Ministria e Shëndetësisë
Vitia premton dialog social me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë për kontratën kolektive
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është takuar sot me Kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imerin dhe përfaqësues të tjerë.
Siç njofton Ministria, së shpejti do të fillojë dialogu social për kontratën kolektive.
Tema kryesore e takimit ishin kërkesat e veçanta për infermierë dhe për punonjësit shëndetësorë në administratë.
“Të pranishmit u dakorduan në parim që sa më parë të fillojë dialogu social për kontratën kolektive, brenda së cilës do të adresohen një pjesë e madhe e kërkesave që sot FSSHK i paraqiti gjatë takimit” – thuhet në njoftimin e MSh-së.
Vitia u zotua për adresimin dhe trajtimin me seriozitet të lartë të kërkesave të federatës.
Në mëngjesin e sotëm infermierë, punëtorë të administratës, punëtorë teknikë, e punëtorë të tjerë të tri niveleve shëndetësore protestuan para Administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Pakënaqësitë e tyre lidhen me ligjin e ri të pagave dhe me koeficientin e ri. Sipas tyre shtesat e pagave siç janë shujta, rrezikshmëria e stazhi i punës janë përgjysmuar ose hequr fare. Ankesë tjetër e tyre është edhe klasifikimi, sipas tyre i gabuar i pozitave.
Në këtë protestë, u bë e ditur edhe shkëputja e Shoqatës Sindikale të QKUK-së nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
“Kemi ndarë rrugën nga FSSHK, e cila me miratimin e heshtur të kësaj situate të krijuar, e ka humbur legjitimitetin e përfaqësimit të interesave të punonjësve shëndetësorë” – tha gjatë fjalimit ë tij, Xhemajl Selmani, kryetar i Shoqatës Sindikale të QKUK-së.
Ai shtoi se kjo federatë e ka dëmtuar rëndë organizimin sindikal dhe prandaj tha se mbi dhjetë njësi sindikale kanë hedhur themelet e krijimit të një strukture të re organizative.
Agron Kryeziu, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të QKUK-së tha për KALLXO.com se ky vendim ka ardhur pasi që sipas tij, FSShK si partnere në dialogun social me qeverinë nuk ka mbrojtur të drejtat e punonjësve shëndetësorë, por ka shikuar pozitat dhe rrogat e veta.
KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë përmes telefonit Tevide Imerin, për të marrë qëndrimin e saj lidhur me këto pretendime, por deri në publikimin e këtij artikulli, Imeri ka qenë e paqasshme.