Tomas Szunyog

Vitia aprovon kërkesën për furnizim të veriut me barna, Szunyog: Shpresoj të dorëzohen shpejt

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Szunyog, ka njoftuar se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ekipi i tij kanë aprovuar kërkesën për të furnizuar spitalet dhe qendrat e shëndetit në komunat me shumicë serbe.

Szunyog ka thënë se shpreson që ato do të dorëzohen së shpejti.

“Vlerësojmë miratimin e shpejtë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ekipi i tij i kërkesës për ofrimin e barnave dhe furnizimeve mjekësore për spitalet dhe qendrat shëndetësore në zonat e komunitetit me shumicë serbe të Kosovës. Shpresoj se do të dorëzohen shpejt”- ka shkruar ai në platformën X.

Për pretendimet se në komunat veriore s’ka furnizim me barna në fillim të tetorit pati reaguar Ministria e Shëndetësisë, duke thënë se këto pretendime janë të pabaza.

“Bëjmë me dije se çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga komisioni i donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar”- thuhej në reagimin e ministrisë.

Sipas Ministrisë, edhe përkundër mbylljes së përkohshme të pikave kufitare edhe më herët dhe tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale, kanë bërë përjashtim.

Drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek më 8 tetor kishte thënë për Transmetuesin Publik të Serbisë (RTS) se problemi me importin e barnave ka lindur rreth dy vjet më parë, “me ardhjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në pushtet”.

Ai shpjegoi se blerja e fundit e barnave dhe materialeve është bërë në vitin 2021 dhe se ende po i shfrytëzojnë furnizimet nga ajo blerje.

“Dy tentativat e fundit (prokurimi) dështuan, në kuptimin që ilaçe në vlerë prej 600 mijë eurosh u kthyen mbrapa. Gjoja nuk kanë udhëzime për përdorim në gjuhën shqipe”- ka thënë ai.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se “çdo kërkesë për donacione për institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe, duke përfshirë edhe donacionet për oksigjen, barna dhe pajisje mjekësore, trajtohet me prioritet nga Komisioni i donacioneve në MSh dhe në asnjë formë dhe as një rast nuk ka pasur asnjëherë vonesa”.

“Mund të shtojmë lirisht dhe me plot siguri se deri më tani kur po flasim, as edhe një kërkesë e natyrës se tillë nuk është refuzuar”- thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo Ministri ka theksuar se furnizimi i QKMF-së në Partesh është bërë rregullisht sipas kërkesës së institucionit dhe tregon se nga janari deri më tani ky institucion është furnizuar 4 herë me barna dhe pajisje medicinale.

Ndërsa QKMF në Ranillug, sipas përgjigjes së Ministrisë së Shëndetësisë, është furnizuar vazhdimisht sipas kërkesës së institucionit – nga janari deri më tani janë bërë 10 furnizime.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se edhe QKMF në Graçanicë është furnizuar vazhdimisht dhe se kërkesa e fundit nga ana e tyre ka qenë në vitin 2020.

Ministria ka prezantuar të dhëna për furnizimin me barna nga donacionet në spitalet e Mitrovicës së Veriut.

“Në vitin 2023 për spitalet në Mitrovicën Veriore janë aprovuar këto donacione: Donacioni i aprovuar nga Komisioni me datë 10.01.2023 nga Farmalogist për Mitrovicën Veriore; Donacioni i aprovuar nga Komisioni me datë 06.03.2023 nga Prizma Trade për Mitrovicën Veriore; Donacioni i aprovuar nga Komisioni me datë 10.05.2023 nga Prizma për Mitrovicën Veriore; Donacioni i aprovuar nga komisioni me datë 14.06.2023 nga Farmalogist për Mitrovicën veriore, Graçanice dhe Pasjan; Vlen të theksohet se me datën 16 .10.2023 është furnizuar me dy donacion komuniteti serb në Graçanicë dhe Mitrovicën Veriore; Me datën 20.10.2023 është furnizuar me oksigjen komuniteti serb në Mitrovicën Veriore; Me datën 02.11.2023 është furnizuar me barna komunitet serb në Mitrovicën Veriore dhe Graçanicë; Gjithashtu, ju informojmë se edhe sot nga Komisioni për Donacione i MSh-së është aprovuar donacioni për importin e oksigjenit medicinal për nevojat e komunitetit serb në Spitalin e Graçanicës”- thotë Ministria e Shëndetësisë.

(Shënim: Raporti është edituar, duke u plotësuar me përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë)