Viktima e fal të akuzuarin për tentimvrasje, kërkohet lirimi nga arresti shtëpiak

Dy burra nga Gjilani kanë arritur një marrëveshje personale lidhur me një plagosje që kishte ndodhur në muajin korrik.

Ramadan Ibrahimi akuzohet se ka tentuar ta vrasë Agron Bejtullahun duke i shkaktuar 6 plagë me thikë.

Sot, para Gjykatës së Gjilanit, i dëmtuari në këtë rast ka pranuar se i ka ndërruar deklaratat në polici e prokurori sepse sipas tij nuk ka qenë i vetëdijshëm për pasojat.

Ai gjithashtu ka treguar se ka marrë vendimin që mos ta ndjekë penalisht Ibrahimin që momentalisht gjendet në arrest shtëpiak.

Ata kanë arritur marrëveshje të shkruar të ndihmuar edhe nga avokati.

“Pasi që e kam lexuar deklaratën që e ka shkruar avokati i Ramadanit e kam nënshkruar atë sepse me të akuzuarin jemi pajtuar sipas adeteve tona shqiptare”, tha Bejtullahu.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Amir Rudaku i propozoi gjykatës që klientit të tij t’ia ndërprejnë masën e arrestit shtëpiak.

“Deklarata e vërtetuar tek noteri ka qenë e orientuar vetëm për të vërtetuar se i dëmtuari sipas adeteve tona është pajtuar me klientin tim-te akuzuarin dhe konsideroj se kjo kishte me qenë një bazë e fuqishme për ndërprerjen e arrestit shtëpiak. Gjithashtu i propozoj gjykatës qe të ndërpres masen e arrestit shtëpiak pasi që kanë pushuar arsyet për shqiptimin e saj”, tha Rudaku

Pas konsultimeve me të akuzuarin, avokati i propozoi gjykatës  që masa e arrestit shtëpiak të zëvendësohet me masën e dorëzanisë.

Seanca e sotme është ndërprerë derisa Gjykata të sjellë vendimin e saj lidhur me masën e arrestit shtëpiak.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Ramadan Ibrahimi në muajin korrik të këtij viti në Gjilan, në lagjen “Arbëria”, me veprim te drejtpërdrejtë-dashje ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Agron Abdullahu.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshje paraprake mes tyre lidhur me disa mesazhe kërcënuese, i pandehuri shkon në shtëpinë e të dëmtuarit me një thikë kuzhine në gjatësi rreth 10cm, dhe pasi i ofrohet të dëmtuarit, e godet menjëherë në kraharor, në këmbë dhe dorë, duke i shkaktuar 6 plagë prerëse në trup.