Ilustrim

Viktima e aksidentit në Harilaq të Fushë Kosovës është burrë dhe jo grua, policia ofroi informacion të pasaktë

Policia e Kosovës ka publikuar një informacion të pasaktë në lidhje me ngjarjen tragjike, ku si pasojë e një aksidenti mbeti i vdekur një shtetasi sirian. E.N.A..

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ku publikon informacionet më të rëndësishme në 24 orët e fundit, ka raportuar se si pasojë e një aksidenti në komunikacion në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës ka vdekur një grua, shtetase siriane.

Mirëpo, informacioni fillestar i raportuar nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës është i pasaktë, për shkak se viktima është një burrë, shtetas sirian dhe jo një grua, shtetase siriane.

Pas raportimit të mediave, që kanë cituar raportin 24 orësh, në adresë të KALLXO.com është paraqitur vëllai i viktimës, i cili ka deklaruar se viktima është vëllai i tij, pra është burrë dhe jo grua siç ka raportuar Policia e Kosovës.

Se Zyra për Media e Policisë së Kosovës ka lëshuar një informacion të pasaktë e ka konfirmuar edhe komandanti i Trafikut të Policisë së Kosovës, Milaim Fejzullahu.

Fejzullahu i cili ka qenë ën vend të ngjarjes për KALLXO.com e ka konfirmuar se viktima ka qenë burrë.

“Mashkull është, unë kam qenë në vend të ngjarjes”, ka thënë Fejzullahu për KALLO.com.

Fejzullahu tha që nuk di pse në raportin 24 orës të Policisë së Kosovës është raportuar se viktima ka qenë grua, duke thënë se kjo mund të jetë lëshim teknik nga ana e Zyrës për Media.

“Mundet me qenë gabim teknik, sepse ne raportin qe e kemi dërguar me informacionin që është mashkull”, tha tutje ai.

Këtë informacion e ka konfirmuar edhe prokurorja e rastit e ka konfirmuar edhe prokurorja e rastit, Rukije Shasivari.

“Në bazë të dokumentacionit, leje qëndrimit dhe fotografisë së leje qëndrimit, viktima ka qenë e gjinisë mashkull”, ka thënë Shasivari për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me mjekun e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë, Arbnor Heta, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Doktori Heta duke u thirrur në të drejtat e viktimës, për ta mbrojtur privatësinë e viktimës, ka deklaruar se nuk mund të jap asnjë informacion.

Në raportin e Policisë së Kosovës të datës 12 mars 2022, Policia e Kosovës i referohet viktimës, si viktimë e gjinisë femërore, shtetase siriane.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që me veturë ka goditur këmbësoren, femër shtetase siriane. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit dhe një ekip mjekësor.  Mjeku përgjegjës ka konstatuar se trupi i viktimës është pa shenja jete. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Njoftimi i Policisë së Kosovës në raportin 24 orësh për aksidentin me fatalitet në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës | Burimi: Zyra për Media e PK-së

KALLXO.com ka provuar të marrë koment për këto informacione të gabuara nga Zyra për Media e Policisë së Kosovës, por askush nga ta nuk kanë pranuar të flasin, ose nuk kanë qenë të qasshëm.

Për të sqaruar këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësit e Policisë së Kosovës, Baki Kelani, Daut Hoxha dhe Bajram Krasniqi, zëdhënësit e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci dhe Flora Ahmeti por asnjëri nga ta nuk ka dhënë përgjigje lidhur më këtë çështje.

Po ashtu KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në e-mailin e Policisë së Kosovës dhe deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje.