Klinika e Pediatrisë

VIDEO - Vonohet mjeku në Pediatri, pacientët presin grumbull në korridore

Në ambulancën specialistike të kardiologjisë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në mëngjesin e së martës u krijuan radhë të gjata të pacientëve.

Një qytetar ka dërguar një video në KALLXO.com, në të cilën shihet se mjeku nuk është në ordinancë, kurse pacientët pritnin në korridor.

Njëri nga prindërit që po priste në radhë me vajzën e tij rrëfen në kushte anonimiteti se pati fëmijë që qanin teksa prisnin për kontrollin e mjekut.

“Në ora 10:00 erdhëm këtu, nuk ishte mjeku. Nuk e di në sa fillojnë me punu, në ora 10:16 erdhi doktoresha aty, u bë llugë me pacientë, fëmijët qanin. Unë nuk e di si mundet me ndodh kjo, në ora 10:16 me fillu me punu. Tmerr ka qenë, si kanë ardhë menjëherë u qetësu” – deklaroi prindi.

Prindi që rrëfeu ngjarjen thotë se terminin e ka pas nga ora 10, por edhe pse para këtij orari ishte tek ordinanca mjeku mungonte.

Pyeta pse nuk po vjen mjeku, një motër tha duhet me prit mjekun se nuk ka ardh. Ne erdhëm sepse vajza pati probleme me dhimbje të gjoksit, ne erdhëm prej shkollës e na u desht me prit deri të vijë mjekja. U desht me hy te i zemrës(mjeku) që me e bë një EKG që me e kontrollu”, shtoi prindi.

Në një përgjigje me shkrim, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë Violeta Grajqevci-Uka thotë se mjeku ka qenë në punë, por që ishte në repart për shkak të rasteve postoperative dhe rasteve tjera.

“Sot mjeku pediatër kardiolog i cili ka qenë i caktuar të mbaj ambulanten i ka kryer të gjitha rastet që kanë qenë për pediatrin kardiolog. Pasi që kanë shumë punë në repartin e kardiologjisë për shkak të operimeve të shumë fëmijëve javën e kaluar, doktoresha ka mbajt ambulanten pa problem. Pacientët nuk kanë qenë raste urgjente apo emergjente por kanë qenë më herët të planifikuar.”, thuhet në përgjigjen e Grajqevci-Ukas.