Tomë Gashi

VIDEO - Tomë Gashi tregon se për çka u intervistua Nexhmi Krasniqi

Ish- Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi për më shumë se dy orë është intervistuar gjatë ditës së sotme nga policia.

Krasniqi është intervistuar për deklaratën e tij të dhënë për KALLXO.com në ditën e vdekjes së Astrit Deharit në qelinë e qendrës së paraburgimit në prizren se ‘dyshimet e vdekjes së Astrit Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente’.

Këto deklarata Krasniqi ia kishte dhënë ish-gazetarit të KALLXO.com, Petrit Kryeziu ditën kur kishte vdekur Astrit Dehari.

Avokati i familjes, Tomë Gashi për KALLXO.com ka thënë se Nexhmi Krasniqi është intervistuar në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit për të parën herë.

Krasniqi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Avokati Tomë Gashi ka treguar se Krasniqi në asnjë moment nuk e kishte mohuar se i kishte dhënë deklaratë ish-gazetarit të KALLXO.com, por shton se informacionet që ia kishte dhënë ish gazetarit fillimisht i kishte marrë nga ish- Drejtori i Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj.

“Nexhmi Krasniqi nuk e ka mohu që ka dhënë një deklaratë sqaruese për gazetarin Petrit Kryeziun, dhe për Petrit Kryeziun e ka dhënë këtë deklaratë pasi që paraprakisht ka folë me drejtorin e atëhershëm të Burgut në Prizren, Destan Zogaj. Nexhmi Krasniqi ka thënë se këtë deklaratë për gazetarin në mënyrë sqaruese e ka dhënë pasi që të gjitha informatat i ka marrë nga Destan Zogaj dhe ky i fundit është ai që i ka thënë Nexhmi Krasniqit se Astrit Dehari ka vdekur si pasojë e marrjes së medikamenteve. Do të thotë, në bazë të Nexhmi Krasniqit burimi i informacionit është deklarimi që ka marrë nga Destan Zogaj”, ka deklaruar Gashi për KALLXO.com.

Ai shtoi se ish- drejtori i Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj asnjëherë nuk e ka përmendur këtë fakt se ishte ai që ia kishte dhënë informacione se Astrit Dehari ish- aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ka vdekur si pasojë e përdorimit të tepërt të medikamenteve.

“Mirëpo është e rëndësishme që Destan Zogaj këtë kurrë nuk e ka thënë, ai është marrë në pyetje dy herë, herën e fundit para dy jave por këtë fakt nuk e ka deklaruar deri më tani”, tha Gashi më tutje.

 

Gashi tregoi se ish- Drejtori i burgut të Prizrenit, Destan Zogaj, kishte deklaruar kur ishte marrë në pyetje se të gjitha komunikimet i ka pasur zyrtare me të gjithë të ata që e kanë kontaktuar atë ditë.

Avokati Gashi përmendi dy dëshmitarët e tjerë të dhomës ku po qëndronin së bashku me Astrit Deharin, Adonis Gashin e Frrok Laskun do të intervistohen prapë.

“Sa i përket Frrok Laskut dhe Adonis Gashit këta kanë dhënë deklaratë edhe më herët me kërkesë të hetuesve policorë të Prizrenit, këta të dy sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale duhet të ri- intervistohen dhe kemi informacione se Frrok Lasku gjendet në njërin nga burgjet e Kosovës ndërsa Adonis Gashi ka një flet arrest ndërkombëtar për një vepër tjetër penale”, tha ai.

Avokati i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, tha se ende nuk ka ndonjë person që dyshohet se ka gisht në siç e quan ai vrasjen e Astrit Deharit, ish- aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai shtoi se pas intervistimit të 17 personave të propozuar në cilësinë e dëshmitarëve, Prokuroria Speciale do të duhej të ndërmerrte hapa të tjera të cilat mund të identifikonin personat e dyshuar për siç thotë vrasjen e Astrit Deharit.

Deri më tani Gashi tregon se nga 17 persona të propozuar janë intervistuar 14 ndërsa tre priten të intervistohen ditëve të ardhshme.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një koment rreth deklarimit të tij në polici edhe nga ana e ish- Drejtorit të Policisë, Nexhmi Krasniqi por ai ka thënë se është i zënë dhe më pas ka mbyllur telefonin duke mos u përgjigjur në kërkesat e gazetarëve.

Gjithashtu KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ish- Drejtorin e Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj i cili nuk ka pranuar se është përmendur emri i tij gjatë intervistimit të Nexhmi Krasniqit, duke i quajtur deklaratat e gazetarëve manipuluese.

“Nuk është përmendë emri im, pse po merreni me thashetheme. Pse po më thirrni mu, thirreni atë sepse nuk po di çka me thënë. Dëgjo, është një problem me juve gazetarëve, sepse me kanë që doni me qitë në dritë diçka ju duheni me konfirmu burimin. Po po më vjen shumë keq sepse jeni duke shkuar në një pikë ku nuk po dihet ku doni me shku. Ju po thoni që emrin tim e ka përmendë, kërkun s’po thotë që emri i Destan Zogajt është përmendë e kështu, ai mundet me auludu në Drejtorin e Përgjithshëm në mua e të tjerët. Pyetni atë. Pse nuk po e verifikoni. Pse nuk po merreni me avokatin që merret me dezinformata po po kqyrni vetëm neve”, tha ai.

Zogaj vazhdoi tutje duke mohuar se është përmendur gjatë intervistimit të Nexhmi Krasniqit nga ana e policisë.

“Mos shkoni në këto gjëra sepse populli nuk i din këto sene se çfarë po bëni ju. A e din ti fjalën e përgjegjësisë çka është me thënë një deklaratë. Merreni thirreni atë (Nexhmi Krasniqi) ai të deklarohet. Unë më së pari thash që kërkun nuk e pash që Nexhmi Krasniqi ka folë me Destan Zogaj. Po nëse e pranon ai që ka folë me mu, ju qiteni. Çfarë etike keni ju, po më vjen shumë keq që përmes telefonit po i flas këto gjëra, për çfarë etike jeni duke folur që jeni duke e manipuluar në përgjithësi”, vazhdoi Zogaj.

Përfundon intervistimi i Nexhmi Krasniqit rreth vdekjes së Astrit Deharit

Ish i burgosuri:Burgu i Prizrenit ka derë që lidhet me policinë