Nexhmi Krasniqi (në rroba civile).

Përfundon intervistimi i Nexhmi Krasniqit rreth vdekjes së Astrit Deharit

Ka përfunduar para pak minutash intervistimi i ish Drejtorit të Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi në kuadër të hetimeve të rinisura për vdekjen misterioze të ish aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari në qëlinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren në nëntor të vitit 2016.

Burime të KALLXO.com tregojnë se Krasniqi ka përfunduar intervistimin e tij gati tri orësh para policisë në lidhje me deklaratat e tij të dhëna për KALLXO.com tri vite më parë në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit ish-aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nexhmi Krasniqi pas vdekjes së Astrit Deharit kishte qenë ndër të parët që e kishte cilësuar vdekjen e tij si vetëvrasje.

Sipas njoftimit të ish-drejtorit Krasniqi, Astrit Dehari kishte përdorur disa medikamente dhe kishte rënë në gjendje kome, e më pas, gjatë rrugës për në Emergjencë, kishte ndërruar jetë.

“Në bazë të informatave të para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në Emergjencë ka ndërruar jetë. Në Emergjencë ka shkuar pa shenja jete”, kishte deklaruar Nexhmi Krasniqi.

Hetimet për rastin misterioz Dehari janë duke vazhduar pasi instituti zviceran nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.