Tomë Gashi paralajmëron mundësinë e arrestimit nga Specialja bashkë me Faton Klinakun

Avokati i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Tomë Gashi ka thënë se i është kërkuar që të paraqitet së bashku me sekretarin e organizatës Faton Klinakun në zyrat e Policisë së EULEX-it në Fushë Kosovë.

Gashi këtë njoftim e ka thënë në një postim në rrjetin social “Facebook”.

“Policia e Prokurorisë Speciale në Hagë, duket se nuk e kanë të qartë se Nasim Haradinaj e Hysni Gucati nuk e pranojnë Gjykatën Speciale, ashtu siç nuk e pranon as Faton Klinaku.  Para pak qastesh Policia e Prokurorisë Speciale në Hagë kërkoj që unë ai avokat i OVL të UÇK-së, të lajmërohem në policinë e Eulexit në Fushē Kosovë së bashku me Faton Klinakun”, ka shkruar Gashi.

Ai thotë se nuk do t’i përgjigjet një ftese të tillë.

“Unë kësaj thirrje nuk do ti përgjigjem, ngase nuk e kam pranuar  dhe nuk e pranoj Gjykatën Speciale.  Sonte ose shihemi në ndonjë debat televiziv ose unë dhe Faton Klinaku do të flasim për çështje kombëtare në Hagë me Nasim Haradinajn”, thotë Gashi tutje.

Sipas Gashit, ‘tani Gjykata Speciale e ka humbur arsyen dhe donë te arrestoj edhe avokatët që i mbrojnë veteranët e UÇK-së’.

Ditë më parë në një aksion të gjerë të EULEX-it në zyrat e OVL-UÇK-së në Prishtinë u konfiskuan dokumente e kompjuterë e gjithashtu u arrestua Kryetari të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Çka ndodhi sot gjatë bastisjes së EULEX-it në zyret e OVL-UÇK-së