OVL-së së UÇK-së nuk i dorëzohen pajisjet e marra nga zyrat e tyre para gjashtë muajve përkundër se ishin informuar t’i marrin sot

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një konference për media, ka bërë të ditur se nuk u janë dorëzuar pajisjet që ishin marr gjatë bastisjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në shtator të vitit 2020 dhe për të cilat ishin paralajmëruar t’i marrin sot në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Faton Klinaku, sekretar i OVL-së së UÇK së ka thënë se para gjatë muajve pa paralajmërim u janë marr shtatë pajisje nga zyrat e tyre dhe janë arrestuar kryetari dhe nënkryetari i OVL-së.

Ai shtoi se kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që pajisjet t’u kthehen prapë aty ku janë marr, por që sipas tyre për arsye sigurie u kanë kërkuar të shkojnë dikush tek zyrat e EULEX-it.

“Nesër bëhen gjashtë muaj prej kur janë arrestuar, apo më mirë të themi kidnapuar, kryetari i Shoqatës së OVL së UCK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj, gjatë bastisjes së zyrës së Prokurorisë së Specializuar, e cila më forca të shumta policore pa paralajmërim ka ardhur në zyrat tona ku janë marr 2 shtëpiza kompjuteri, një pajisje që ka pasur filmime nga kamerat, një dokument që i kemi bërë kërkesë Kuvendit të Kosovës për ndryshim të ligjit për Gjykatën Speciale. Këto pajisje ne kemi dashur që të na kthehen këtu, por nga Prokuroria na është thënë që për shkaqe sigurie nuk mund të vijnë në zyrat tona dhe na kanë kërkuar që sot t’i marrim brenda zyrave të EULEX-it në Fushë Kosovë. Avokati jonë Tomë Gashi ka qenë i autorizuar që t’i marr këto pajisje”, ka thënë Klinaku.

Tomë Gashi, avokat i OVL-së së UÇK-së ka thënë para mediave, se sot në orën 10:00, ashtu si ishte kërkuar nga Prokuroria Speciale ka shkuar si person i autorizuar t’i marr pajisjet por që sipas tij një hetues i kishte thënë se janë të zënë dhe nuk i janë dorëzuar ato.

“Ne kemi kërkuar që në formë të shkruar të na dërgojnë një njoftim dhe ka qenë kërkesë e tyre që sot nga ora 10:00 të shkojë një person i autorizuar për të marr pajisjet. Gjithkund të botën e civilizuar kur merr diçka për ta hetuar, në momentin që përfundon ekspertiza duhet të kthehen aty ku janë marr. Unë si avokat me autorizim nga OVL kam shkuar të marr pajisjet dhe ishte një deklaratë e një prej hetueseve që ata nuk mund ta bëjnë këtë, për arsye logjistike se janë të zënë dhe nuk na janë dorëzuar pajisjet”, tha Gashi.

Tutje ai shtoi se kanë kërkuar sqarim për të gjeturat nga pajisjet që janë marr në aksionin e bastisjes më 25 shtator 2020, e sipas tij kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja pse nuk u janë dorëzuar ato.

“Në kemi bërë kërkesë që t’na ipet një sqarim për atë që është gjetur në ato pajisje që janë konfiskuar më 25 shtator të vitit të kaluar. Deklarimet e OVL të UCK-së por edhe të miat kundër Gjykatës Speciale, besojë që atyre nuk u kanë konvenuar dhe mendoj se kërkesa jonë për të na treguar se çfarë kanë gjetur, ka qenë arsye pse nuk na janë dhënë sot pajisjet për të cilat vetë na kanë ftuar, sepse nuk kemi kërkuar ne gjatë këtyre gjashtë muajve. Gjykata Speciale e ka humbur rrugën dhe nuk janë aspak serioz me kërkesat e tyre. Nuk na është dhënë afat se kur t’i marrim këto pasjisje dhe nuk kemi ndonjë datë të saktë”, ka shtuar tutje Gashi.

Avokati Tomë Gashi theksoi se janë duke pritur raportin e Prokurorit Clint Willimason për të paditur Dick Martin dhe Carla Del Ponten, për shpifje që kishin quar në lajthitje të Këshillit të Evropës dhe formimin e Tribunalit Special.

“Për ne është edhe ofenduese që u zgjodh kjo ditë e përvjetorit të bombardimeve dhe Epopenë e Luftës së familjes Haradinaj. Kjo gjykatë është anti-shqiptare dhe kundër shtetit të Kosovës dhe shumë e dëmshme për UÇK-në. Është e ditur tashmë që në Shtëpinë e Verdhë nuk ka pasur trafikim organesh, tani jemi në pritje të raportit të prokurorit Clint Willimason për të ushtruar padi penale kundër Dick Martit i cili inskenoi këtë dhe i vuri në lajthitje Këshillin e Evropës në vitin 2011. Padi do të kemi edhe për Hoze Pablo Baraibar, i cili ka qenë udhëheqës i ekipit për persona të zhdukur në kohën e UNMIK-ut, i cili ka vjedhur 400 eshtra të shqiptareve për prova në Tribunal të Hagës dhe në fund i përdori për vete ku edhe botoi një libër, padi do ketë edhe për Carla del Ponten”, ka  thënë Gashi.

Çka ndodhi sot gjatë bastisjes së EULEX-it në zyret e OVL-UÇK-së