Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Gashi: Arrestimi i Gucatit e Haradinajt 100 përqind politik

Avokati i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomë Gashi, ka thënë se arrestimi i kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinajt, është politik.

“Kjo është bash arrestim pa lidhje e 100% politik! Po ku kanë pa këta te specialin sudit në Hagë me arrestu Nasim Haradinajn e Hysni Gucatin pa e arrestu dike te vetin! Qka  ka faj Nasimi e Hysniu qe atyne ju rrodhen dokumentet nga Haga nja 2500 km larg selis se OVL te UÇK-së. Këta nuk i hyn me kazem sudit! “Faji” i tyre ishte se e pamë qartë bashkëpunimin e Prokurorisë se Serbisë me Gjykatën Speciale me fabrikim te provave kundër pjesëtarëve te UÇK-së”, ka shkruar avokati Gashi në Facebook.

Arrestimi i Gucatit e Haradinajt u bë pas një fletarresti nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në lidhje me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprat penale, frikësim i dëshmitareve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në ditën kur u arrestuan Gucati  e Haradinaj, Policia e EULEX-it bastisi zyrat e OVL-UÇK-së më shumë se dhjetë orë.

Kjo bastisje u bë disa ditë pasi kjo organizatë ka pranuar tri dosje radhazi që sipas tyre përmbajnë dokumente nga hetimet që po bëhen në Dhomat e Specializuara, gjykatë kjo që ka mandat  të hetojë krimet e luftës të kryera në Kosovë nga viti 1999 e tutje.

Çka ndodhi sot gjatë bastisjes së EULEX-it në zyret e OVL-UÇK-së