Tifozët kryejnë vjedhje në marketin e një pompe në Malishevë
VIDEO - Tifozët kryejnë vjedhje në marketin e një pompe derivatesh në Malishevë
Disa pamje që u xhiruan nga kamerat e sigurisë brenda e jashtë një marketi të një pompe derivatesh në Malishevë, dëshmojnë një vjedhje që ndodhi më 29.02.2024.
Nga marketi pretendojnë se një grup i organizuar i tifozëve ka vjedhur mallra të ndryshëm. Ata dyshohen se kanë marrë gjësende ushqimore dhe dolën pa i paguar.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët e kanë iniciuar si “vjedhje e shërbime”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi ka thënë për KALLXO.com se për ngjarjen janë njoftuar në 00:05h.
Elezi ka treguar se për rastin janë njoftuar nga një ankues, i cili ka raportuar se persona të panjohur, në pompën e derivateve në Malishevë, kishin marrë sende të ndryshme (kryesisht ushqimore) dhe ishin larguar pa paguar.
“Policia ju ka përgjigjur rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “vjedhje e shërbime”. Rasti është duke u hetuar” – tha Elezi për KALLXO.com.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e grupit të tifozëve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Shënim: Artikulli është edituar në 17:26