VIDEO - Tash e dy vjet deputetët po votojnë me dorë se sistemi elektronik nuk po funksionon

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në emisionin KallxoPërnime ka folur në lidhje me çështjen e sistemit elektronik në parlament, i cili tash e dy vite është jashtë funksionit.

Për shkak të këtyre probleme teknike, deputetët e Kuvendit të Kosovës votojnë me dorë.

Për shkak të kësaj, sot Kuvendi i Kosovës nuk i ka të arkivuara votat e deputetëve.

“Votimi elektronik ka mujtë me u bo shumë më herët prej autoriteteve të Kuvendit të cilat nuk janë partiake. por janë administratë shtetërore. Janë dhënë dy opsione se kah mundem me shku me këtë çështje”- ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari thotë se për çështjen e votimit elektronik ka zgjedhur bashkëpunimin me një shtet përmes donacionit, teksa shton se sistemi është afër rregullimit.

“Opsioni i parë është me oferta të hapura kur disa herë mundet me tu anku ndokush dhe mundet me u vonu procesi një vit dhe projekti tjetër përmes donacionit ku ti lidhesh me një shtet të caktuar mik dhe na ndihmon me kry këtë se nuk është ndonjë shumë e madhe”- është shprehur Konjufca.

“Ne jemi përcaktu me këtë të dytën. Një herë na ka dështu një shtet specifik nuk du me ja përmend emrin. Kjo ka dështu tash një vit, shtet i cili ato 405 mijë euro sa kushton krejt me e renovu sallën i ka dërgu për luftën në Ukrainë. Tash e kemi me një shtet tjetër që e kemi shumë afër. Kërkoj falje që jemi vonu kaq shumë. Më vjen keq që nuk është”- shtoi ai.

Kryetari i Kuvendit thekson se çdo seancë parlamentare është e incizuar dhe se me kamera mund të shihet se kush çka ka votuar.

“Çdo seancë është me kamerë e incizuar. Nëse ti ma dërgon mua një pyetje se qysh ka votu ose çka ka votu një deputetë, ne me kamera mund t’i nxjerrim shumë kollaj. Një qeveri e Kosovës ka ra në Gjykatë Kushtetuese me një metodë të tillë, jo në mënyrë digjitale tu e shiku se qysh ka votu, po me kamerë”- shpjegon ai.

“Mua më vjen keq për diçka tjetër, që deputeti nganjëherë nuk i punon as aparatura dhe po detyrohet me dalë në foltore. Më problematike është kjo se sa që sdihet se kush si ka votu”- tha mes tjerash Konjufca.