VIDEO - Si u transferua prona shoqërore mes Prishtinës e Fushë Kosovës në pronë private?

 

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi hulumtim për dyshimet se si 2 hektarë tokë në Zonën Industriale mes Prishtinës dhe Fushë Kosovës kaluan nga pronësia shoqërore në atë private.

Hulumtimi zbardh rrugëtimin e dyshimtë të pronave me vlerë milionëshe nga pronësia shoqërore në atë private.

Sabri Kryeziu, avokat që përfaqëson dy kompani që sot janë të vendosura në një pjesë të kësaj prone, thekson se vendimi i Gjykatës Komunale të Prishtinës në vitin 2008 vetëm është i përshkruar nga vendimi i gjykatës paralele në Nish të Serbisë.

“Më një aktgjykim të gjykatës paralel që ka funksionuar në Nish ku palë e paditur ka qenë Republika e Serbisë dhe Shipad Komerc me seli ne Beograd miratohet kërkesë padia dhe ky aktgjykim nuk ka mundur të zbatohet në Kosovë për shkaqe që dihen dhe e njëjta palë me pretendimet e njëjta paraqet padi në Prishtinë dhe e fiton edhe këtu dhe është interesant se si komplet përshkruhet aktgjykimi si ai i Gjykatës paralel si ky i gjykatës së Prishtinës”, theksoi Kryeziu.

Pretendimet e Millosh Zhivkoviqit nga Leskovci janë se ai e ka fituar pronën e gjyshit të tij të cilën ai thotë se shteti ia kishte marrë dikur në vitet 1950.

“Babai i nënës sime, në moshën 27 vjeçe, më 1927, u zhvendos nga Mali i Zi në Kosovë. Atëherë, bashkë me vëllezërit, i morën 6 hektarë tokë, të tre vëllezërit. Ndodhi lufta, e 45-tës, e kështu me radhë, u zhvendosën andej e këndej, por pas luftës, nëna ime dhe axhallarët e saj e shfrytëzuan këtë. Më 1999 u larguam nga Kosova, dhe në mundësinë e parë në Serbi, meqë gjykata e Prishtinës është zhvendosur në Nish, e vazhduam procedurën. Në procedurë patëm sukses dhe përfundimisht e kthyem pronën. Aktgjykimet u bënë të plotfuqishme dhe të pambarueshme. Pastaj erdhëm që këto të gjitha t’i zbatojmë në Prishtinë. Në Prishtinë gjithashtu filluam gjykimin dhe e fituam dhe definitivisht e kthyem pronën”, tha Zhivkoviq.

Selim Sylkaj sot pretendon se ka marrëveshje me Millosh Zhivkoviqin, dhe thotë se s’po mund të investojë në atë pronë.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ofroi filmime nga përleshjet dhe prova për vendimet e dyshimta të Gjykatës së Prishtinës me të cilat prona milionëshe kaloi në pronësi private.