VIDEO: Qytetari xhiron gjendjen në toaletin e klinikës ku trajtohen pacientët me COVID-19

Papastërti, lagështi dhe mungesë e mjeteve higjienike janë parë sot në një nga toaletet e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK ku po trajtohen edhe pacientët me COVID-19

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka pranuar një video nga një qytetar për gjendje e toaleteve në Klinikën e Pulmologjisë. Aty shihet dikush që largon një sasi të ujit, që sipas qytetarit është urinë.

Në video  shihet se nuk ka asnjë dezinfektues apo shampon të vendosur brenda toaletit.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti e cila  ka fajësuar qytetarët për prishjen e toaleteve.

“Veq një sen po ju tregoj, kush i ka prish këto banjo, banjot i kanë prish vetë qytetarët”, u shpreh Mehmeti.

Ai ka bërë të ditur se toaletet e katit të dytë të kësaj klinike i kanë rregulluar por të njëjtat janë dëmtuar nga qytetarët brenda një jave.

“Në katin e dytë i kemi rregullu banjot , për herë të parë janë ndarë banjot për femra dhe mashkuj, pas një jave banjot janë prishë nga familjarët, i kanë thy fontanat i kanë thy ulëset edhe a e din çfarë përgjigje kom pas prej pacientëve dhe familjarëve kur ju kam thënë se duhet me i rujt, “hajt bre mos u merzit se dërzhava po t’i blenë”, ka thënë drejtoresha.

Ajo tutje ka thënë se ka qenë e planifikuar edhe rregullimi i toaleteve në katin e parë por kjo nuk është bërë për shkak të procedurave të tenderimit.

“Banjo në katin e parë mbetë pa u rregullur, por edhe banjo e rregulluar në katin lartë ka qëndruar veetëm një javë e rregulluar, kush i ruan banjot, banjot i ruajmë ne”, ka thënë Mehmeti.

Ajo ka thënë se duke pasur prasysh numrin e të infektuarve në këtë klinikë dhe numrin e stafit aktiv qytetarët duhet të ndihmojnë në këtë gjendje.

“Në video infrastruktura duket shumë mirë, por si po mendoni i kemi 98 të sëmurë, 68 është kati i parë dhe i dytë,  a më tregoni me një staf infermieror të vogël me një staf  me pastrues dy prej të cilëve janë të infektuar, është shumë e vështirë me i ndejtë mbrapa secilit, nuk jam në klinikë për momentin por po flas për deri në momentin që kam qenë, lufta nuk është vetëm e mantel bardhëve por edhe e qytetarëve”, u shpreh Mehmeti.

Kur Mehmeti është pyetur rreth dezinfektuesve dhe sapunëve të cilët nuk ndodhen në këto banjo sipas videos së qytetarit, ajo ka thënë se qytetarët po i vjedhin dezinfektuesit.

“Për sapuna dhe dezinfektues, edhe me dashtë na me i lanë pacientët i vjedhin, po më vjen shumë keq na e kemi rastin kur pacienti i shtrirë e qon babain e vet në banjo edhe i len letrat e lagura në banjo kthehet me marr në banjo kur kthehet thotë “më vjedhën akoolin dhe letrat e banjos”, qit sa dush por dikush po i merr, ideja ka qenë që vendosen  në korridore me pas kamera në mënyrë që të shohim sjelljet e pacientëve”, tha Mehmeti.

Mehmeti tutje ka bërë të ditur se Klinika e Pulmologjisë furnizohet në baza të vazhdueshme  me materiale dezinfektuese dhe alkool.