Besim Morina - Pulmolog - Foto: Kallxo.com

Pulmologu: Aktualisht kura më e mirë për COVID-19 është vaksina

Pulmologu Besim Morina ka treguar përvojën e tij në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kohën kur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19.

Morina i ftuar në “Kallxo Përnime” ka thënë se shumë pacientë që janë trajtuar në këtë Klinikë e që s’kanë qenë të vaksinuar i kanë rënë pishman që s’kanë marrë vaksinë në momentin që e kanë parë gjendjen në të cilën i ka sjellë virusi.

Gjithashtu pulmologu Morina ka thënë se kura më e mirë për COVID-19 është vaksina.

“Shumica e pacientëve që janë shtruar në spital e që kanë qenë të pavaksinuar i kanë rënë pishman që s’kanë marrë një vaksinë. Pacientët që kanë qenë shumë vital, kur e kanë parë gjendjen në të cilën kanë ardhur pas infeksionit kanë bërë thirrje për vaksinim. Pacientët që aktualisht janë të pavaksinuar janë të moshave të reja, ata besojnë që vaksina mund të shkaktojë sterilitet, disa mendojnë që s’kanë nevojë për vaksinë, disa presin të mbesin shtatzënë por s’ka asnjë konkludim shkencor se mund të shkaktojë sterilitet vaksina”, ka rrëfyer Morina.

Sipas tij, në kohën kur Kosova përballej me variantin Delta të COVID-19, Klinikat kanë qenë të mbushura me të pavaksinuar e që kanë qenë kryesisht moshat më të reja dhe jo si në fillim të pandemisë kur ato spitalet kanë trajtuar më shumë të moshuarit.