(VIDEO) Qytetarët e Klinës kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos

4600 qytetarë të Klinës kanë nënshkruar një peticion që ka për qëllim të ndalojë ndërtimin e një fabrike të çimentos në zonën e fshatrave Gremnik, Qupevë, Dollc dhe Dresnik.

 

 

Këta qytetarë kanë arritur që ta detyrojnë komunën të tërheq pëlqimin e dhënë për kompaninë Wallingford International, për shfrytëzimin e lëndës së parë për fabrikat e çimentos në këto fshatra.

Njëri nga iniciuesit e këtij peticioni, Josip Dedaj  tha se ndërtimi i kësaj fabrike është një katastrofë për gjithë rrafshin e dukagjinit.

“Zona kadastrale Gremnik, Dollc dhe Dresnik ka një dëmtim pasi ka burime natyrore të ujit që gjitha shkatërrohen, në këtë pjesë e kemi edhe një faunë të egërsirave që një kohë ka kushtuar bukur shtrenjtë diku 180 mijë euro nga ministria e bujqësisë. Ndërtimi i fabrikës së qereçit edhe e cementit dhe ka me kanë një katastrofë jo vetëm për Klinë po për gjithë rrafshin e dukagjinit”, tha thënë Rudaj.

Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Klinë, Fadil Gashi, thotë se edhe pse janë tërhequr pëlqimet, vendimi i asamblesë nuk është zbatuar.

Kjo pasi kompania ka marrë leje nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, të cilët nuk e pranuan me kohë vendimin për tërheqjen e pëlqimit.

“ Seanca ka vendosë me pëlqimin e përfaqësuesve të peticionit, me gjithë shefat e grupeve kuvendore në kuvend dhe gjithë anëtaret, ne e kemi hartuar një vendim me të cilin e detyrojmë drejtorinë që ti anulojë të gjitha pëlqimet e dhëna deri me datën 5, deri sa po flasim ne nuk janë anulu”, tha kryesuesi.

Gjithashtu, iniciuesit e peticionit kanë deklaruar për KALLXO.com se po vazhdojnë të kenë frikë se ndërtimi i fabrikës mund të fillojë.

“Tash me marrjen e informatës se edhe pse kuvendi komunal e ka anuluar këtë vendim, faktikisht asgjë nuk është marrë në atë drejtim, ne kemi vendos që ta vazhdojmë procedurën me masa ligjore, duke i respektuar ligjet e Kosovës po nëse e shohim se nuk merremi për bazë na komuniteti atëherë do ti kemi edhe aktivitetet e tjera prej protestave etj”, ka thënë Sylejman Gashi.

Përveç peticionit, banorët e fshatrave përreth kanë dorëzuar edhe një kallëzim penal në Prokurori pasi po dyshojnë se procesverbali i takimit  të kompanisë me qytetarë është falsifikuar.

KALLXO.com, ka kërkuar procesverbalin e takimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Ambientit mirëpo deri më sot nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Kundër ndërtimit të fabrikës ka dalë zëshëm edhe asamblisti Gjokë Lleshaj. Ai tha se qytetarët kanë nevojë më shumë për ajër se sa për fabrika.

“Ne nuk jemi kundër asnjë fabrike që të ndërtohet, kemi nevojë për fabrika por kemi nevojë bre edhe për ajer të pastër, duke i ditë standardet dhe sa jom i informuar, fabrikat që në vende të ndryshme kanë dalë jashtë përdorimit të vinë në Klinë e të vendosen dhe ta ndotin jo vetëm Klinën por edhe një pjesë të qytetit të Pejës është dëm i madh “, ka thënë Lleshaj.

Në lidhje me mos zbatitim e vendimit të Asamblesë, KALLXO.com, ka biseduar me Drejtorin e Urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku.

“Asambleja e ka vendosë që me i tërheq pëlqimet, vendimet i dërgon asambleja në Prishtinë e jo ne, mas asaj kanë ardhë operatoret te na dhe na i kemi thanë shkoni në Prishtinë, ne na obligon qajo, gjithçka është pezull deri sa të bahet konfirmimi i ligjshmërisë së vendimit të asamblesë“, ka thënë Marleku.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka konfirmuar se kompanisë i janë aprovuar tre kërkesat për shfrytëzimin e lëndës së parë për çimento

“Janë 3 aplikacione për shfrytëzim të mergeleve të aprovuara nga bordi, mirëpo të njëjtat ende nuk janë marrë nga ndërmarrja ngase paraprakisht duhet t’i plotësojnë dhe disa kushte”, ka thënë KPMM

Sipas KPMM-së këto kërkesa janë aprovuar nga bordi me datë 18 qershor ndërsa njoftimin për tërheqjen e pëlqimit nga Kuvendi i Klinës e kanë pranuar më 30 qershor.

KPMM thekson situata e krijuar pas tërheqjes së pëlqimit nga komuna do të shqyrtohet në takimin e radhës së bordit.

KALLXO.com, ka provuar të kontaktojë edhe me përfaqësuesit e kompanisë mirëpo të njëjtit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.