Qytetarët e Klinës kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos - VIDEO

4600 qytetarë të Klinës kanë nënshkruar një peticion që ka për qëllim të ndalojë ndërtimin e një fabrike të çimentos në zonën e fshatrave Gremnik, Qupevë, Dollc dhe Dresnik.

Këta qytetarë kanë arritur që ta detyrojnë komunën të tërheq pëlqimin e dhënë për kompaninë Wallingford International, për shfrytëzimin e lëndës së parë për fabrikat e çimentos në këto fshatra.

 

Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Klinë, Fadil Gashi, thotë se edhe pse janë tërhequr pëlqimet, vendimi i asamblesë nuk është zbatuar.

Kjo pasi kompania ka marrë leje nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, të cilët nuk e pranuan me kohë vendimin për tërheqjen e pëlqimit.

Gjithashtu, iniciuesit e peticionit kanë deklaruar për KALLXO.com se po vazhdojnë të kenë frikë se ndërtimi i fabrikës mund të fillojë.

Përveç peticionit, banorët e fshatrave përreth kanë dorëzuar edhe një kallëzim penal në Prokurori pasi po dyshojnë se procesverbali i takimit  të kompanisë me qytetarë është falsifikuar.

KALLXO.com, ka kërkuar procesverbalin e takimit në Ministrinë e Mjedisit dhe Ambientit mirëpo deri më sot nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Kundër ndërtimit të fabrikës ka dalë zëshëm edhe asamblisti Gjokë Lleshaj. Ai tha se qytetarët kanë nevojë më shumë për ajër se sa për fabrika.

Në lidhje me mos zbatitim e vendimit të Asamblesë, KALLXO.com, ka biseduar me Drejtorin e Urbanizmit në Klinë, Lorenc Marleku.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka konfirmuar se kompanisë i janë aprovuar tre kërkesat për shfrytëzimin e lëndës së parë për çimento

“Janë 3 aplikacione për shfrytëzim të mergeleve të aprovuara nga bordi, mirëpo të njëjtat ende nuk janë marrë nga ndërmarrja ngase paraprakisht duhet t’i plotësojnë dhe disa kushte”, ka thënë KPMM

Sipas KPMM-së këto kërkesa janë aprovuar nga bordi me datë 18 qershor ndërsa njoftimin për tërheqjen e pëlqimit nga Kuvendi i Klinës e kanë pranuar më 30 qershor.

KPMM thekson situata e krijuar pas tërheqjes së pëlqimit nga komuna do të shqyrtohet në takimin e radhës së bordit.

KALLXO.com, ka provuar të kontaktojë edhe me përfaqësuesit e kompanisë mirëpo të njëjtit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.