Organizatorët e protestës akuza ndaj kryetarit të Klinës për falsifikime në rastin e fabrikës së çimentos
Banorët e Klinës kanë protestuar sërish sot për të kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshatin Dollc të kësaj komune.
Me mbishkrimet “Mos ma prek Dukagjinin”, “Protesto kundër fabrikës së çimentos”, “Të jetojmë në vendin tonë”, “Më lër të marrë frymë lirshëm”, “Le të mbrojmë mjedisin”, klinasit treguan “revoltën” e tyre me qëllim që ta kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike.
Përfaqësuesi i grupit organizativ, Veton Rraci bëri thirrje që të ndalohet ndërtimi i saj.
“Ne duam që të stopohet apo ndalohet kjo ide njëherë e përgjithmonë dhe të largohet kjo ‘re e zezë’. Nëse dje ishte patriotizëm të luftohet për çlirimin e vendit tonë, sot patriotizëm është të ruhet vendi dhe ambienti në të cilin jetojmë”- ka thënë ai.
Rraci tha se udhëheqësit e Klinës kanë kundërshtuar dhe penguar këtë protestë.
“Është rëndë të mendohet dhe e rëndë të thuhet para jush se në vitin 2023 të tentohet të bllokohet fjala e lirë. Udhëheqësia e Klinës, përveç dëmeve të larta e mundimeve të mëdha që ia shkaktoi banorëve të kësaj ane, së fundi tentoi ta pengojë këtë protestë paqësore e cila ka për qëllim ta kundërshtojë armikun më të madh të pasluftës së Klinës, pra ndërtimin e fabrikës së çimentos”- theksoi Rraci.
Ai shtoi se kryetari i komunës së Klinës ka pajisur me dokumentacion operatorin ekonomik.
“Në takime që kemi pas me kryetarin, më shumë bindje na thoshte se deri sa të ketë banorë kundër ndërtimit të fabrikës së çimentos, nuk do të lejohet kjo. Për më keq ai prapa shpine punonte që operatorët të pajisen me dokumentacion dhe këtë e bënte në mënyrë tinëzare. Ai mori përsipër ta mësitnojë këtë punë dhe të arrij ta pajis me dokumentacion operatorin ekonomik”- u shpreh përfaqësuesi i grupit organizativ.
Përfaqësuesi i grupit organizativ akuzon pushtetin lokal për falsifikim të dokumenteve.
“Ata provuan të falsifikojnë dokumente që të pajisen me dokumentacion për ndërtim të fabrikës së çimentos, falsifikuan procesverbalet e dëgjimit publik, e falë tyre arritën që të pajisen me dokumentacion. Mirëpo ne u treguam vigjilentë, e paraqitëm këtë hile te organet kompetente, e organizuam një protestë vitin e kaluar. Si rezultat i protestës sonë u mor vendimi për pezullimin e të gjitha lejeve derisa të përfundojë procesi gjyqësor në mes komunës së Klinës dhe Ministrisë së Pushtetit Lokal”- përfundoi ai.
Kallxo.com ka kërkuar të marrë një qëndrim nga kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, por ai nuk deshi t`i komentojë pretendimet e organizatorëve të protestës duke thënë se do të përgjigjen organet kompetente të Komunës.
Në lidhje me këtë dhe akuza të tjera është përgjigjur Mirsad Dakaj, këshilltar politik i Zyrës së Kryetarit.
Dakaj ka thënë se pretendimi i tillë është i paqëndruëshëm.
“Qytetarët kanë të drejtë të pamohueshme të protestave, e cila është një formë demokratike dhe legjitime e shprehjes së mendimit të lirë dhe mendimeve të ndryshme. Siç e keni parë protesta është mbajtur e pa penguar nga askush, prandaj një pretendim i tillë është i paqëndrueshëm dhe aspak i vërtetë”- pohoi ai.
Sipas Racit kryetari i komunës së Klinës ka pajisur me dokumentacion operatorin ekonomik.
Ndërsa Dakaj ka thënë se këto deklarime janë të pavërteta dhe për kryetarin është shumë i rëndësishëm zëri i popullit.
“Si kryetar i komunës në vazhdimësi dhe me seriozitet të lartë kam pritur në takime qytetarët e interesuar për këtë çështje dhe i kam informuar lidhur me procedurën e lëshimit të lejeve të nevojshme dhe kompetencat e kufizuara që ka komuna në këtë çështje”, thuhet në përgigjet e Dakajt.
“Çdo herë kam theksuar se interesi dhe zëri i qytetarëve është primar për mua, sepse për këtë qellim qytetarët më kanë dhënë besimin. Sa i përket kësaj çështjeje, dëshiroj të theksoj se lejes ndërtimore për ndërtimin e fabrikës së cementit i kanë paraprirë një varg dokumentesh të lëshuara nga institucione të tjera dhe komuna, në bazë të rregullatives ligjore dhe kompetencave që ka, i ka zbatuar vendimet e institucioneve tjera përgjegjëse dhe ka marr vendime konform dispozitave ligjore në fuqi”.
“Deklarime të tilla janë plotësisht të pavërteta. Si kryetar kam qenë dhe jam çdo herë që të dëgjohet zëri i qytetarëve dhe të plotësohen kërkesat e tyre, në kuadër të respektimin të dispozitave ligjore në fuqi”, theksoi këshilltari politik i Zyrës së Kryetarit në Klinë.
Përfaqësuesi i grupit organizativ akuzon komunën e Klinës, të cilët sipas tij provuan të falsifikojnë dokumete që të pajisen me dokumentacion për ndërtim të fabrikës së çimentos, falsifikuan procesverbalet e dëgjimit publik, e falë tyre arritën që të pajisen me dokumentacion.
Mirsad Dakaj thotë se nuk është kompetencë e komunës organizimi i dëgjimeve publike.
“Organizimi i dëgjimeve publike është kompetencë e ministrisë së linjës së bashku me operatorin ekonomik, të cilët edhe kanë bërë organizimin e dëgjimeve publike, dhe nuk është kompetencë e komunës organizimi i dëgjimeve”- përfundoi ai.
Emisioni “Kallxo Përnime” e ka trajtuar rastin e fabrikës së çimentos në Klinë.
Në vitin 2020, qytetarët që u angazhuan për ta kundërshtuar këtë fabrikë duke mbledhur rreth 4 mijë e 700 nënshkrime në një peticion që kundërshtonte ndërtimin e kësaj fabrike.
Raportimet e KALLXO.com – LINK
(Shënim: Shkrimit i janë bashkangjitur përgjigjet nga këshilltari i Kryetarit, Mirsad Dakaj)